Facebook do të rikthejë faqet e lajmeve në Australi, pasi ra dakord me qeverinë mbi ndryshimet e planifikuara në kodin mbi median. Kompania pretendonte se ky kod do ta lejonte qeverinë të ushtronte kontroll të madh mbi cfarë mund të shfaqej në platformën e saj.
Vendimi vjen pas negociatave midis gjigandit të teknologjisë dhe qeverisë australiane, e cila ka vendosur të miratojë një ligj të ri për mediat. Qëllimi i qeverisë ishte që t’i kërkonte platformës digjitale të paguante për publikimin e lajmeve.
“Pas diskutimeve të mëtejshme, jemi të kënaqur që qeveria australiane ka rënë dakord për një numër ndryshimesh dhe garancish që adresojnë shqetësimet tona thelbësore, në lidhje me lejimin e marrëveshjeve tregtare që njohin vlerën që platforma jonë u jep botuesve, në raport me vlerën që marrim prej tyre”, tha Facebook në një deklaratë.
“Si rezultat i këtyre ndryshimeve, ne tani mund të punojmë për të çuar më tej investimin tonë në gazetarinë me interes publik dhe për të rikthyer lajmet në Facebook për australianët në ditët në vijim,” tha kompania.
Qeveria e Kryeministrit Scott Morrison prezantoi ndryshimet në minutën e fundit në kodin e propozuar mbi mediat, që pritet të votohet së shpejti.
Nëse miratohet, ligji do të detyrojë platformat dixhitale të paguajnë mediat lokale dhe botuesit për të lidhur përmbajtjen e tyre në burimet e lajmeve ose rezultatet e kërkimit.
Sipas ndryshimeve në projektligjin e propozuar, qeveria australiane do të marrë parasysh marrëveshjet tregtare ekzistuese mes platformave digjitale si Google dhe Facebook dhe organiztave lokale të mediave, përpara se të vendosin nëse kodi do të zbatohet për gjigandët e teknologjisë.
Qeveria gjithashtu do t’u japë platformave digjitale një muaj njoftim para se të marrë vendimin përfundimtar.
Ndryshimet gjithashtu sanksionojnë një periudhë dy-mujore ndërmjetësimi për të lejuar platformat dixhitale dhe botuesit të arrijnë marrëveshje, para se të detyrohen të shkojnë në arbitrazh si një zgjidhje e fundit.