Mjaftoi një shi pak i rrëmbyeshëm fundjavën e shkuar që autostrada Tiranë-Durrës të përmbytej duke u bërë e paudhëtueshme. Përmbytja nuk kishte ndodhur më parë, por rikonstruksioni që iu bë vitin e shkuar autostradës dëmtoi infrastrukturën e kullimit.
Duke perifrazuar një shprehje të famshme: Fajin e ka Edi. Rehabilitimi i një pjese të autostradës Tiranë-Durrës ishte një projekt arbitrar e klientelist i Kryeministrit Rama. Ishte një ndër ato shumë ndërhyrjet që bëhen vetëm e vetëm për kënaqjen e tekave dhe vullnetit të tij të paepur për t’i imponuar gjithë vendit e shoqërisë shijet e tij personale.
Rehabilitimi nuk u konceptua dhe nuk u realizua në bazë të vlerësimit të nevojave dhe të analizës teknike dhe ekonomike. Për të nuk u përgatit asnjë projekt i mirëfilltë teknik dhe ekonomik.
Këto elementë të domosdoshëm administrativë e ligjorë u zëvendësuan me urdhrat dhe udhëzimet arbitrare të Kryeministrit, i cili vendosi pothuajse për çdo element të rikonstruksionit: formën, lartësinë dhe madhësinë e ndarjes mesore; llojin dhe numrin e pemëve anësorë; distancën e tyre nga rruga dhe nga njëra-tjetra; ngjyrën e gurëve mbrojtës; etj. Si zakonisht, Kryeministri Rama bëri njëkohësisht Kryeministrin, Ministrin e Transportit, Drejtorin e Përgjtihshëm të Rrugëve, projektuesin, inxhinjerin e ndërtimit, inxhinjerin e transportit, inxhinjerin e ujrave, arkitektin, estetistin, etj.
Po si zakonisht, Kryeministri vendosi, gjithashtu, edhe se kush do t’i siguronte dhe mbillte palmat: kompania që bëri “falas” kopshtin e Kryeministrisë dhe kopshtin e vilës së tij në Surrel (të dyja pa asnjë faturë fiskale e pa lënë asnjë gjurmë formale).
Rezultati i ndërhyrjes amatore dhe arbitrare ishte i pritshëm e i natyrshëm: u dëmtuan edhe më shumë standartet e dibta teknike të autostradës – doli jashtë përdorimit sitemi i kullimit; u ngushtuan pjesët anësore të sigurisë; nuk u respektuan standartet për distancat e pemëve nga traseja e rrugës, dhe, më skandalozja, u vendosën kërpudhave mbrojtëse prej betoni anash trasesë (me sa duket për të mbrojtur palmat nga makinat që mund të dalin nga rruga).
Ristrukturimi estetik e bëri më të rrezikshëm udhëtimin në autostradë, veçanërisht për shkak të zvogëlimit të pjesës anësore të sigurisë dhe afërsisë së palmave me rrugën.
Kjo qe arsyeja që specialistët e transportit, fillimisht, vendosën që shpejtësia maksimale në autostradë të ishte 60 km në orë. Ekspertët e Ministrisë së Transportit ju bindën tekave të Kryeministrit për ta bërë autostradën siç donte ai, por u treguan të kujdesshëm që tekat kryeministrore të mos shkaktonin dëme e viktima.
Por ngaqë shpejtësia e ulët në rrugën me të ngarkaur në vend i irritoi njerëzit, limiti u rrit në 90 km në orë. Dikush vendosi që mjaft të mos acarohen njerëzit, pa le të thyhet ndonjë qafë.
Mos e dhëntë zoti të ndodhë. Sepse fakti që fajin e ka Edi nuk mund të jetë ngushëllim për asgjë.