Familja Haliti akuzon për neglizhencë shërbimin mjekësor në Manzë

Nga Exit News
Familja Haliti akuzon për neglizhencë shërbimin mjekësor në Manzë

Anëtarë të familjes Haliti kanë akuzuar shërbimin mjekësor të Manzës për neglizhencë lidhur me rastin e tre familjarëve të tyre që humbën jetën nga helmimi.

Në një deklaratë për mediat, djali i çiftit që ndërroi jetë tha se janë të shqetësuar nga neglizhenca e shërbimit spitalor të Manzës.

“Tre pacientë të shkojnë më të njëjtin simptomë dhe të kthehen në shtëpi me barna nuk është adekuate, pa analiza dhe pa kurrfarë përkushtimi të lirohet pacienti në atë gjendje është diçka jo e duhur për çdo mjek”, tha ai.

Djali tregoi se pasi prindërit dhe gjyshja janë transportuar në Tiranë, mjekët i kanë thënë se ishin shumë vonë pasi kishin kaluar 24 orë nga helmimi.

“U bë që gjithçka që ka qenë e mundur në spitalin e Tiranës, nuk mund të kishte më shumë”, deklaroi ai për mediat.

Familjarët thanë se pritet të zbardhet e plotë ngjarja, që nga shkaqet që çuan në përkeqësimin e shëndetit të viktimave e deri tek mjekimi që i është dhënë.

Tre anëtarë të familjes Haliti nga Gjilani dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e helmimit me kërpudha gjatë kohës që pushonin në banesën e tyre në Gjirin e Lalzit.

Në një prononcim për “News 24”, një nga mjekët e qendrës shëndetësore të Manzës është shprehur se të tre personat janë trajtuar sipas protokollit mjekësor me serum dhe vitamina. Sipas tij ata nuk kanë thënë se kanë konsumuar kërpudha dhe se kur janë larguar kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Prokuroria po heton dy mjekë në Manzë për akuzën “Mjekim i pakujdesshëm”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>