Shoqata e familjarëve të viktimave të Gërdecit shrehu sot zemërim dhe zhgënjim me qeverinë, që pas 9 viteve në gjyqe e pas shumë premtimeve nga Kryeministri Rama, ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet e merituara.
Shpërthimi në depon e armëve në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona, ndodhi 9 vjet më parë. Kohët e fundit, Gjykata e Apelit konfirmoi përgjegjësinë e shtetit për shpërthimin, duke hapur kështu rrugën për kompensimin e banorëve.
Me anë të një deklarate për shtyp, familjarët shprehen se gjyqtarët janë treguar korrekte e profesionistë, e kanë marrë vendime që më pas vetë shteti i ka ankimuar, për t’ju shmangur përgjegjësisë.
Sot, 9 vjet pas tragjedisë së Gërdecit familjarët e viktimave të shpërthimit kanë njohur shumë zhgënjime. Tashmë kemi pasur aq kohë sa të njohim jo vetëm vrasësit, por edhe gënjeshtarët e lajkatarët, dhe kemi kuptuar që e keqja nuk ka ngjyrë politike.
Drejtësinë penale ja kemi lënë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe pavarësisht mbrojtjes që kjo qeveri po i bën shkaktarëve të tragjedisë, ne kemi besim se Strasburgu nuk do besojë qeverinë dhe do të jetë i qartë në vendimin e tij.
Ndërkohë, gjyqet e dëmshpërblimeve vazhdojnë të ecin përmes pengesave që krijon qeveria e një njeriu që na premtoi se pas 23 qershorit 2013 gjërat do ishin ndryshe. Është po e njëjta qeveri që u pranoi të ekzekutojë vendimet gjyqësore për familjet e viktimave të 21 janarit dhe, pas presioneve, edhe banorëve të Zharrzës, lajme këto që natyrisht gëzojnë të gjithë shqiptarët. Por, në rastin e Gërdecit refuzon të pranojë të njëjtën zgjidhje, duke harruar fjalët e bukura që donte t’i këmbente me votën tonë, si dhe duke harruar që 26 jetët e njerëzve tanë u shuan nga krimi shtetëror.
E dimë që Kryeministri Rama do të përsërisë të njëjtin refren për kalvarin e gjyqeve tona, se fajin e paskan gjykatat dhe se po i shkon goja mbrapa duke thënë pse duhet vetingu.
Por për gjyqet e dëmshpërblimeve nuk na i ka fajin gjykata.
Nga ana tjetër, vetingun tonë nuk po e kalon dot qeveria, e cila mbron shkaktarët e tragjedisë, vonon procedurat duke u ankuar pa fund dhe shtrembëron të vërtetën me të vetmin qëllim që të mohojë gishtin e shtetit në këtë tragjedi, duke mos ndryshuar asgjë nga linja e qeverisë së mëparshme.
Pas publikimit të letrës së familjarëve, ka reagur ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Zoti Tahiri i kërkoi ndjesë familjarëve dhe akuzoi gjykatat se kanë lënë të lira shkaktarët e shpërthimit:
Ky është një angazhim dhe vetëdija jonë e madhe, e imja, e kolegëve të mi, e qeverisë, e Kryeministrit për të bërë drejtësinë që duhet ndaj të gjithë atyre në sistemin e drejtësisë që kanë lënë të lirë sot, për 9 vite me radhë ata që shkaktuan 26 viktima.