Kryetarja e “Lëvizjes për ndryshim”, Jozefina Topalli nderoi të premten në Shkodër heronjtë e 2 Prillit, nga ku deklaroi se dëshiron t’u kërkojë ndjesë familjarëve, pasi pas tre dekadash ende jemi larg ëndrrave të katër dëshmorëve të vrarë.
“Sot pas tre dekadash jetojmë një moment kur shpresa është larguar nga ne. Kur nuk ka një pluralizmi real, ku nuk ka një të majtë dhe të djathtë, qeveri dhe opozitë. Unë sot jam këtu e rrethuar me familjarë, me njërin prej familjeve për ti kërkuar një ndjesë të madhe në emër të gjithëve. Pas tre dekadash jemi larg ëndrrave të tyre, nuk kemi arritur të kemi një ekonomi të shëndoshë”, tha ajo.
Familjarja së cilës i referohej Topalli është Adela Kryeziu, e cila kandidon e dyta në listë e “Lëvizjes për ndryshim” në qarkun Shkodër.
Sipas ABC News, pas nderimeve nga Topalli, Ahmet Kryeziu, xhaxhai i Adela Kryeziut ka hequr kurorat me lule të vendosura nga Lëvizja për Ndryshim tek monumentin i 2 Prillit.
Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka janë dëshmorët e demokracisë. Ata u pushkatuan më 2 prill të vitit 1991 nga regjimi komunist.