
Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka kërkuar vaksinimin sa më parë të farmacistëve, si pjesë e stafit mjekësor që është në vijën e parë të luftës me Covid-19.
Të enjten, përmes një letre drejtuar Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Urdhri shprehet se mos përfshirja e farmacistëve në grupin prioritar të vaksinimit është ‘e pashpjegueshme’:
“Është e pashpjegueshme që në një situatë të tillë pandemie farmacistët mos t’i shohesh si kontigjent me risk të lartë karshi infeksionit Covid-19, krahas kolegëve të tjerë punonjës të shëndetësisë mjek e infermjerë.
Farmacistët ishin e vazhdojnë të mbeten në vijën e parë të përballjes me infeksionin Covid-19.”
Urdhri thekson se farmacistët janë lënë pas dore gjatë gjithë pandemisë, pavarësisht se kanë qenë të rrezikuar për shkak të numrit të lartëve të të infektuarve me Covid-19 që i vizitojnë farmacitë këto muaj.
Deri më tani në Shqipëri ka nisur vaksinimin për mjekët dhe infermierët e spitalve Covid dhe atyre që janë më të rrezikuar nga kontakti me pacientët me Covid.
Nuk ka ende një plan apo datë për vaksinimin e farmacistëve.