Fasada e Bosios si hyrje për apartamentet luksoze të klientëve të Ramës

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Fasada e Bosios si hyrje për apartamentet luksoze të klientëve të Ramës

Ndërtimi ka qenë tema kryesore politike e dy javëve të fundit. Me reformën në drejtësi në xhep, Edi Rama ka përdorur rrjetin social për të na bombarduar nga plazhi qeveritar në Dhërmi me plane të reja ndërtimi, pjesa më e madhe e të cilave janë përgatitur nga studio e tij besnike Atelier 4.

Prokurimi publik nuk duket të jetë më pengesë, vit pas viti qeveritë shqiptare kanë prodhuar një mori hallkash juridike të dyshimta për të shmangur çdo procedurë “publike”,” transparente,” apo “të hapur”. Shpikja më efikase duket se është e ashtuquajtura formula e partneritetit publik-privat.

Hulumtova pak për partneritetin publik privat, duke qenë se ky term po përdoret tani për një ndërtim krejtësisht të ndryshëm nga pikëpamja juridike—nuk është një rast kur qeveria lidh një kontratë publike me një palë private, por një rast në të cilën qeveria krijon një kompani të përbashkët me një ent privat, me qëllim shmangien e procedurave të prokurimit publik të vetë qeverisë.

Ky është rasti i “rindërtimit” të Stadiumit Kombëtar Qemal Stafa. Për të shmangur tenderimin publik të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit, i cili është pronë publike, Qeveria Rama dhe Federata Shqiptare e Futbollit krijuan një kompani private, Qendrën Sportive Kuqezi, në të cilën qeveria zotëron 25 për qind dhe FSHF 75 për qind të kuotave. Duhet përmendur këtu që FSHF drejtohet nga një biznesmen, Armando Duka, kompania e të cilit AIBA prodhon vezët në frigoriferin tim.

Pas kësaj, qeveria i “dha” stadiumin dhe truallin kompanisë Qendra Kuq e Zi, e cila qe pastaj e lirë të kontraktonte këdo që dëshironte për të projektuar dhe ndërtuar stadiumin, pa asnjë procedurë apo detyrim publik, duke qenë se ajo është ent privat juridik.

Tani fillon pjesa më e bukur. Arkitekti i stadiumit të ri është Marco Casamonti nga Archea Associati. Casamonti u arrestua në Itali në dhjetor të vitit 2008 për fallsifikim të një projekti në një konkurs publik në Firence, dhe pas më shumë se pesë vjet hetim dhe gjykim u dënua në tetor 2015 me dy vjet e gjysëm burg për korrupsion.

4evergreen
Kulla 4 Evergreen mbetur prej disa vitesh pa ndërtuar

Casamonti është shumë i njohur në Tiranë për një nga shëmtitë më të mëdha të qytetit, Kullën 4Evergreen—pjesë e planit fillestar për dhjetë kulla të larta të parashikuara në master planin e qendrës së Tiranës nga një studio arkitekturore e zgjedhur nga Edi Rama në 2003. Ndërtuesi i kullës ka falimentuar dhe ajo qëndron në mes të qytetit e pambaruar, duke mbetur përgjithmonë gri.

Projekti tjetër i tij, i parealizuar asnjëherë, është fituesi i çmimit të dytë të konkursit për një qendër tregtare në krah të Stadiumit Qemal Stafa, për ndërtuesin Samir Mane (ai i investimeve strategjike). Me fjalë të tjera, Casamonti kishte sigurisht që më parë besueshmërinë për të ndërmarrë një tjetër projekt të shquar.

Qendër shumëfunksionale e projektuar nga Archea Architeti në 2009 për tregtarin Samir Mane
Stadiumi (2)
Render arkitekturor i stadiumit të ri “Qemal Stafa” të Marco Casamontit. Vini re kullën karakteristike.

Siç mund të duket qartë nga të dy renderat, në terma të gjuhës formale projekti për qendrën tregtare dhe për stadiumin janë të përafërt, me stekat vertikale dhe paletet ngjyrë të zezë/gri/të kuqe. Duke marrë parasysh shpejtësinë me të cilën projekti u paraqit dhe u nxita përmes të gjitha niveleve të qeverisë, nuk mund të imagjinohet se arkitekti ka patur kohë të bëjë një kërkim të thellë në lidhje me vendin dhe zonën e ndërtimit, historinë dhe kontekstin e saj.

Plani i Casamontit injoron krejtësisht faktin që stadium origjinal ishte pjesë e një kompleksi monumental godinash që datonin që nga periudha fashiste e planit të qytetit, të projektuar nga Gherardio Bosio. Si e tillë, ai ishte një nga ansamblet arkitekturore moderniste italiane të ruajtura më mirë, dhe i mbrojtur me ligj si monument kulture i kategorisë II.

Ansambli i Bosios
Skicë e planit të Gherardio Bosios për ansamblin arkitekturor rreth sheshit që sot mban emrin Nënë Tereza

Në 2 korrik, kur çdo gjë përveç fasadës së stadiumit ishte shkatërruar më shpejtësi rekord, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, i kryesuar nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, u mblodh brenda rrënojave të stadiumit Qemal Stafa.

Gjimnastika mendore e atyre që u përfshirë në këtë mbledhje kaq të ngushtë ishte e standarteve olimpike. Sepse duhej argumentuar se fasada origjinale (dhe vetëm fasada) e projektuar nga Bosio ishte gjëja e vetme “monumentale” e stadiumit (dhe madje jo e gjithë fasada), dhe se ruajtja e fasadës–çfarëdo kuptimi që të ketë “ruajtja”—do të thoshte ruajtje e monumentit të ansamblit arkitekturor rreth Sheshit Nënë Tereza.

Po citoj fjalët e Mirela Kumbaros:

“Fasada kryesore perëndimore, është pjesa që respekton më shumë projektin dhe idenë origjinale të Bosios, jo vetëm kaq, kjo fasadë brenda të cilës ndodhemi është ura lidhëse arkitekturore dhe kulturore me pjesën tjetër të qytetit: sheshin Italia, sheshin Nënë Tereza, kompleksin arkitektonik përtej, por edhe me nostalgjitë e qytetit dhe të tifozëve si dhe me kujtesën e profesionistëve.

Sot nuk do të gjykojmë nëse duhet apo jo stadiumi, nëse duhet apo jo këtu. Ky vendim është marrë dhe personalisht s’kam dyshim se duhet dhe si anëtare e KKT, rikonfirmoj aprovimin tim për këtë.”

Dhe të Edi Ramës:

“Nuk jemi para faktit që thjeshtë duhet të ruajmë një copëz të trashëgimisë kulturore, por jemi edhe para faktit që duhet ta rilindim atë copëz trashëgimie kulturore, që është barbarizuar pafundësisht për shumë vite. […] Ne do të kemi objektin që pati premtuar Gherardio Bosios dhe që përkon pothuajse 100 përqind me ate qe ka dëshiruar të ketë këtu, si hyrje të stadiumit.”

Ta mendosh një monument arkitekture vetëm në lidhje me fasadën e tij, sikur të ishte një projektim dy-dimensional, i pavolum dhe i pakontekst, që mund të vendoset brenda çdo mjedisi tjetër pa i ndryshuar kuptimi, është natyrisht lajthitje deluzioni.

Padyshim, po aq deluzion sa edhe kur u argumentua se streha e Phillipe Parrenos nuk e dëmton fasadën e Kryeministrisë (një tjetër projekt i Bosios) sepse ajo është “e përkohëshme”. Duket se gjimnastika mendore është i vetmi sport olimpik në të cilin skuadra jonë politike mund të fitojë një medalje.

Duhet vënë në dukje se asnjë nga planet konkrete për “rilindje” nuk u bë publik. E vetmja gjë që ne kemi parë janë panelat e bardhë të Alb-Starit që rrethuan kantjerin, dhe prapa tyre fasadën e Bosios të humbur në një shkretëtirë rrënojash.

Por ajo nuk ishte gjithçka. Projekti i Casamontit përfshiu, në mënyrë të pashpjegueshme, një kullë të madhe “qendër tregtare shumëfunksionale”. Kush ka parë ndonjëherë një stadium me një qiellgërvishtëse në majë të tij?—kjo pyetje e arsyeshme vazhdon të bëhet nga mijra qytetarë.

Dikush vërtetë mund ta vrasë mëndjen nëse Bosio e pati imagjinuar që fasada e tij do shërbente si hyrje për në apartamentet luksoze të aleatëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës—nëse kjo gjë ishte vërtë “qëllimi” i atij si autor. Nuk do ta dimë kurrë. Sidoqoftë,

Rama këmbënguli që një stadium me një qiellgërvishtëse është shumë modern, por ne jemi të gjithë shpellarë. Fundi i argumentit; ai ka nevojë për një gjë të ngritur në çdo copë truall të Tiranës.

(1)
Fasada e ish-stadiumit Qemal Stafa

Më pas, një mëngjes, Tirana u zgjua dhe zbuloi që edhe fasada ishte hedhur për tokë. Ndërsa fotot e rrënimit qarkulluan gjatë githë ditës, njerëzit u mërzitën me të drejtë që u shkatërrua edhe pjesa e fundit e asaj ndërtese historike. Befas, në fund të ditës, Rama zbuloi në faqen e tij në Facebook se gurët origjinalë të fasadës ishin ruajtur dhe do të vendoseshin në fund të projektit për të “rikrijuar” hyrjen.

Me fjalë të tjera, në konceptin e “monumentit të kulturës” që duket se sundon në kokat e vizionarëve kulturorë që na qeverisin, kultura është diçka sipërfaqësore, si “një lëkurë”. Hiqja lëkurën e jashtme, vendose diku për ta ruajtur, fshija pluhrat, monumenti u ruajt. Nuk do jetë largët dita kur ta zbatojnë këtë metodë edhe në Butrint, Apolloni apo amfiteatrin e Durrësit.

Sidoqoftë, mesazhi—dhe gjuha—me të cilën Rama “informoi” qytetarët e tij për këtë procedurë të pazakontë për “ruajtjen” e monumenteve është për t’u vënë në pah.  Është për t’u vënë në pah sepse ajo vë qartazi përballë njëra-tjetrës trashëgiminë kulturore “të pavlerë” të socializmit me trashëgiminë “me vlerë” të fashizmit.

Mesazhi ishte edhe më i jashtëzakonshëm për shkak të përbuzjes së madhe dhe arrogancës që buronte në çdo fjalë të tij—përbuzje dhe urrejtje e pastër për këdo që, duke mos patur asnjë informacion për projektin, buxhetin, afatin apo shpjegime të nevojshme rreth stadiumit “të tij” kombëtar, u ndje ndershmërisht i prekur dhe i indinjuar për humbjen e një vendi të paharrueshëm. (Përfshi edhe mua).

Ju ftoj ta lexoni edhe një herë mesazhin, që të mos e harrojmë si na drejtohet Kryeministri ynë.

Në këtë kontekst të fasadës, është interesante që befas rishfaqet shprehja “kthim në identitet”, një shprehje që u lartësua në mandatin parë të Ramës si kryebashkiak, në fillim të viteve 2000, kur “kthimi në identitet” përfshiu prishjen e ndërtimee “informale”—operacion që u pagua nga kompanitë kliente të ndërtimit që u shpërblyen me leje ndërtimi—dhe, në veçanti, lyerjen e fasadave të blloqeve të banesave socialiste.

Kështu mund të nxjerrim përfundimin se për Ramën koncepti i “fasadave” dhe shqetësimi për “kthimin në identitet” janë konceptualisht të lidhura; sikur çelësin e idenditetit ta përmbante fasada në vetevete, më shumë se ajo që është pas saj.

Që një fasadë mund të lyhet, hiqet, zhvendoset, që pikërisht një transformim apo transferim i tillë mund të përbëjë “kthimin”, është ajo çfarë ndodhet në themel të kësaj ideje. “Kthimi” i Ramës nuk është një përpjekje për të rindërtuar, një vepër për të kujtuar apo parë brenda vetes, por është gjithmonë në thelb shkatërrim i të kaluarës.

E kemi parë këtë gjë herë pas here në mënyrën si ai trajton monumentet e kulturës apo—në përgjithësi—vendet e kujtesës, dhe ndoshta edhe kujtesën e tij, gjithashtu.

Pika ime e fundit, dhe do ta lë me kaq, është se ndoshta aspekti më kureshtar i përgjigjes së Ramës është vetë fakti që ai, duke qënë Kryeministër i Shqipërisë, ndjeu se ishte personi i duhur për t’iu përgjigjur mërzisë dhe hutimit të njerëzve.

Projekti për stadiumin është zyrtarisht e ligjërisht përgjegjësi e kompanisë Qëndra Sportive Kuq e Zi sh.a, në të cilën shteti zotëron vetëm një pakicë kuotash, ndërsa 75 për qind e tyre janë në duart e një fermeri pulash.

Unë do isha më shumë i interesuar të dija se çfarë ka për të thënë për këtë çështje pronari i shumicës së aksioneve të stadiumit të ri kombëtar. Apo ndoshta, thjesht ndoshta, Arena Kombëtare është në të vërtetë një projekt që po realizohet nga qeveria dhe e gjithë sajesa ligjore ka patur për qëllim shmangjen e ligjeve publike?

Apo këto mendime më vinë nga karshëlliku im provincial…

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>