Këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit të SHBA, Anthony Fauci, ka paralajmëruar ndaj përhapjes së variantit Delta të COVID-19 në zonat me norma të ulëta vaksinimi duke thënë se SHBA po shkon “në drejtimin e gabuar”
Në një intervistë për CNN, Fauci tha se zyrtarët e shëndetit po konsiderojnë rishikimin e udhëzimeve për mbajtjen e maskave për të frenuar përhapjen e rasteve.
Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA rekomandoi heqjen e detyrimit për të mbajtur maska disa muaj më parë për personat e vaksinuar. Por tashmë në disa shtete kjo masë është rikthyer për ambjentet e mbyllura.
Vaksinimi me një dozë të tretë për disa kategodi është gjithashtu nën shqyrtim, tha ai.
Situata e koronavirusit në SHBA po bëhet “një pandemi mes të pavaksinuarve”, i tha Fauci të dielën.
49% e popullsisë në SHBA është vaksinuar plotësisht sipas të dhënave zyrtare.
Fauci tha se udhëheqësit lokalë në zonat me norma të ulëta vaksinimi duhej të bënin më shumë për të inkurajuar njerëzit që të vaksinoheshin.
Shkalla e vaksinimit është veçanërisht e ulët në shtetet jugore, ku më pak se gjysma e banorëve kanë marrë dozën e tyre të parë në disa rajone.
Ndërkohë, infektimet janë përsëri në rritje dhe kjo i është atribuar, pjesërisht, përhapjes së shpejtë të variantit me të transmetueshëm Delta.