Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka arsyetuar vonesën e vaksinave në këtë vend, ku tha se kjo po ndodh pasi kompania Pfizer është duke furnizuar dhe shumë vende të tjera.
Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshje me Serbinë për 8 mijë doza vaksinash.
Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha të premten se donacioni nga Serbia do të vijë, pasi të kryhen procedurat e çregjistrimit të tyre.
Filipçe tha për gazetarët:
“Mbrëmë kemi pasur bisedë me përfaqësinë e Pfizerit në Beograd, që praktikisht është ndërmjetësues me zyrën e avokaturës në Nju Jork, atje po punohet në dy marrëveshjet, fillimisht në draft-marrëveshjen tonë, përkatësisht për marrjen e 800 mijë dozat tona dhe së dyti leja për autoritetet serbe, që ata të mund të na i japin ‘skedat’ që ne të mund të importojmë vaksinat nga vendi i tyre. Pres që të bisedojmë sërish sot”.
Kryeministri Zaev tha pak ditë më parë se po vijojnë aktivitetet për marrëveshjen me “Pfizer” për 800.000 vaksina, që do t’i mbulojnë dozat për 400.000 qytetarë.
Ai tha se po vazhdojnë bisedimet edhe me vende të tjera për sigurimin e vaksinave, deri sa të arrijnë 5.850 dozat e para të vaksinave në shkurt.