Fillon një tjetër projekt ndërtimi që shkatërron trashëgiminë arkeologjike të Durrësit

Fillon një tjetër projekt ndërtimi që shkatërron trashëgiminë arkeologjike të Durrësit

Bashkia Durrës do të fillojë së shpejti një sërë ndërtimesh publike që rrezikojnë rrënojat e lashta të qytetit, përfshi dy tunele nëntokësore, godina shërbimi dhe dy godina publike në lulishten e Maoseleumit.

Ka qenë portali Aktiv për Durrësin që ka bërë i pari publik këtë projekt përmes një postimi në faqen e Facebook që bën të njohur fillimin e punimeve. Sipas portalit, godinat e planifikuara do të shërbejnë për prokurorinë dhe gjykatën e Durrësit.

Projekti për ndërtimet nuk është bërë publik por disa të dhëna rreth tij janë zbuluar nga intervista në media të kryebashkiakut Dako. Në prill 2017, në një intervistë për Albania Free Press, Dako njoftoi se projekti do të përfshijë dy faza, e para do të ketë kosto rreth 5 milionë euro, ndërsa koston e të fazës së dytë ai nuk e ka bërë të ditur, por ka pohuar se është siguruar financimi edhe për këtë fazë.

Sipas Dakos pranë Mazoleumit të Dëshmorëve në Durrës do të ndërtohen dy kalime nëntokësore për makinat që do të përfshijnë edhe një rrethrrotullim nëntokësor. Rruga e tanishme automobilistike do të shndërrohet në shesh për këmbësorët. Në dy anët e sheshit të krijuar do të ndërtohen dy godina të reja, një godinë që do të strehojë gjykatën dhe tjetra prokurorinë e Durrësit.

Dako shprehet edhe për ndërtimin e disa “mjediseve tregtare” që do të administrohen nga bashkia, për të cilat ai nuk jep detaje veç informimit se “tarracat e këtyre ambienteve do të shndërrohen në hapësira të gjelbra, në minilulishte”.

Të dhënat e përmbledhura të projektit janë:

Kosto: 700 milionë lekë (afërsisht 5 milionë euro)

Tuneli i parë: Nën rruga e Maozeleumit me gjatësi 295 metra

Tuneli i dytë: Nën rrugën Aleksandër Goga me gjatësi 265 metra

Rrethrrotullimi nëntokërsor: Diametri 26 metra

Sipërfaqja e sheshit: 1 600 m2, përfshi gjelbërim

Mjedise tregtare: Secili nga 30-35 metra katrore, me tarracë të gjelbëruar

Albanian Free Press e shoqëron intervistën e Dakos me disa imazhe render të projektit:

 

Dy tunelet dhe mjediset tregtare, të cilat priten të përfundojnë brenda këtij viti do të financohen me fonde të Bashkisë Durrës, ndërsa “pallatet e drejtësisë” do të finacohen nga vetë institucionet.

Në shkurt 2017 Bashkia shpalli fituesin e tenderit për zbatimin e fazës së parë, bashkimi i kompanive Bajrami N shpk dhe Fusha shpk. Ndërsa tenderin për mbikqyrjen e punimeve e ka fituar firma Erald-G në prill 2017. Komopania Fusha është kompania që ka kryer punimet e Sheshit Skënderbej në Tiranë.

Projekti është hartuar dhe ka filluar të zbatohet pa asnjë lloj transparence, duke shkelur Konventën Aarhus dhe një sërë ligjesh që kërkojnë zhvillimin e vlerësimit në ndikimit në publik, organizimin e dëgjesave publike dhe përshirjen e publikut në vendim-marrje.

Por projekti përbën skandal për një arsye edhe më të rëndësishme: ndërtimet nëntokësore në një zonë të njohur për praninë e mbetjeve arkeologjike do të shkatërrojnë praktikisht këtë pasuri.

Lulishtja e mauzeleumit është cilësuar ligjërisht si zonë arkeologjike B, dhe në të nuk mund të ndërtohet. Në shkurt 2017, arkeologët e projekti Topografia e Epidamn-Dyrrachiumit, financuar nga Ministria e Jashtme franceze njoftuan se gjatë gërmimeve “tek lulishtja e Mauzoleumit të Dëshmorëve kemi rënë në strukturat e një terme të periudhës romake”.

Kundërshtimet e qytetarëve për këto ndërtime që rrezikojnë rrënojat e lashta të Durrësit, Dako u është përgjigjur:

Është bërë si modë që, për çdo punë që bën bashkia e Durrësit, çohet një grup që e kundërshton. Por ne mendojmë se i kthejmë qytetit sipërfaqe publike dhe gjelbërim si dhe cilësi më të mirë jetese qytetarëve të Durrësit.

Duket se Dako nuk ka vetëdije apo vlerësim për trashëgiminë arkeologjike të Durrësit jo vetëm nga pikëpamja kulturore dhe shpirtërore por edhe ajo e turizmit, pasi ai shprehet se projekti ka vlerë për një arsye tjetër: ndërtimi i tunele nëntokësore do të lidhë qendrën e Durrësit me plazhin e Currilave dhe të Kallmit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>