Filmi “Zgjoi” nga regjisorja kosovare Blerta Basholli, fitoi tre çmime të martën në Festivalin e Filmit Sundance 2021.
Filmi u nderua me Çmimin e Jurisë së Madhe të Kinemasë Botërore, Çmimin e Regjisorit dhe Çmimin e Publikut.
“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipin, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithë ne” tha Basholli përmes një videokonference.
“Zgjoi” bazohet në një histori të vërtetë të Fahrije Hotit e cila vuajti gjatë luftës në Kosovë, pasi burrin i saj ishte midis personave të zhdukur. Por me një punë të palodhur, ajo mbijetoi një mentalitet patriarkal në një fshat tradicional dhe u bë e suksesshme.
Pasi mori Çmimin e Jurisë së Madhe të Kinemasë Botërore, producenti Yll Uka tha se është privilegj të nderohesh me këtë çmim
“Ne duam t’ja dedikojmë këtë çmim vendit tonë të mrekullueshëm dhe të bukur”, tha ai.
Filmi u realizua nga bashkëpunimi mes Kosovës, Zvicrës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Përveç aktores kryesore, Yllka Gashi personazhet e tjerë u interpretuan nga Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.