Filmi “Zgjoi” nga regjisorja kosovare Blerta Basholli, është përzgjedhur në festivalin zyrtar të Festivalit të Filmit ‘Sundance 2021’.
Filmi do të ketë premierën e tij botërore në Kompeticionin Dramatik të Kinemasë Botërore të Sundance.
“Sundance është një nga festivalet më të rëndësishëm në industrinë e filmit në botë dhe unë jam shumë e lumtur që pas një pune të gjatë dhe të palodhshme të të gjithë ekipit të përfshirë në të gjitha fazat e prodhimit të Zgjoi, puna jonë po shpërblehet,” shkruan në Facebook, Basholli e cila është gjithashtu edhe skenariste e filmit.
“Zgjoi” bazohet në një histori të vërtetë të Fahrije Hotit e cila vuajti gjatë luftës në Kosovë, me burrin e saj në listën e personave të zhdukur. Por me një punë të palodhur, ajo i mbijetoi një mentaliteti patriarkal në një fshat tradicional dhe u bë e suksesshme.
Basholli thotë se ajo ishte një frymëzim dhe inkurajim për të vazhduar punën, “dhe siç thotë ajo, për të parë vetëm përpara”.
“Unë dua që kjo histori të dëgjohet sepse gratë nga Kosova kanë qenë gjithmonë të forta dhe të suksesshme si gjatë dhe pas luftërave, por fatkeqësisht shumë pak përmenden,” tha Blerta Basholli duke përmendur mundësinë që historia të shihet nga një audiencë e gjerë.
Filmi është rezultat i bashkëpunimit midis Kosovës, Zvicrës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Përkrah aktores kryesore Yllka Gashi, personazhet e tjerë interpretohen nga Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi dhe Kaona Sylejmani.