Fitoi Rama. Edhe këtë herë.

Nga Ilmi Rehova
Fitoi Rama. Edhe këtë herë.

Nuk dihet nëse ishte taktikë negociimi apo qëllim i vërtetë, por propozimi për administratë jopartiake zgjedhore rezultoi një goditje mjeshtërore nga Kryeministri Rama.

Edhe nëse e deshi vërtet, duke hequr dorë prej kësaj dëshire, ai arriti çdo synim politik që i duhej pak muaj para Zgjedhjeve 2021.

Duke shitur si sakrificë heqjen dorë nga një gjë që nuk e kishte, Rama ruajti atë që kishte: sistemin që i shërbeu aq mirë më 2017.

Nën trysninë ndërkombëtare, opozitës mund t’i ishte imponuar një administratë ne dukje jopartiake (por ne fakt socialiste). Ajo e ndali këtë gjë, por përtej shmangies së këtij rreziku të ri, opozita nuk arriti asnjë nga kërkesat e vjetra te saj.

Ndërsa Rama duke bërë këtë “lëshim” dhe duke dhënë disa përmirësime, të cilat janë ose të parëndësishme ose të pazbatueshme më 2021, mori çdo gjë që donte.

Për ta kuptuar këtë duhet të krahasojmë gjendjen politike dhe kërkesat e interesat e palëve para reformës dhe pas reformës.

Çfarë fitoi Rama? Fitoi shumë:

I dha fund krizës politike. Para reformës opozita ishte në rrugë dhe Shqipëria ishte në krizë politike. Reforma e zgjidhi krizën politike dhe sot as opozita nuk pretendon më që në vend ka krizë, çfarë ishte një nga armët e saj më të forta kundër Edi Ramës. Me një lëshim pa vlerë, ofrimin e një tavolinë politike të dominuar krejtësisht prej tij, të emërtuar Këshilli Politik, ai e ktheu opozitën në tavolinë politike duke i dhënë fund zyrtarisht krizës politike dhe çdo pretendimi për krizë politike.

I dha fund çdo mundësie që opozita të kërcënojë me bojkotin e zgjedhjeve. Pas kësaj reforme— nga e cila opozita ka dalë, çuditërisht e kënaqur dhe triumfuese, dhe ka deklaruar se tani është e qetë dhe mund të merret me programin elektoral—opozita nuk ka më asnjë arsye dhe asnjë pretekst për të kërcënuar me bojkotin e zgjedhjeve. Tani është e sigurt: opozita do të hyjë në zgjedhjet e vitit 2021.

Varrosi çështjen e hetimit të krimeve elektorale të vitit 2017. Para reformës çështja e nxjerrjes para drejtësisë së vjedhësve të votave të vitit 2017 ishte kauzë kryesore e opozitës. Pas reformës kjo kauzë ka vdekur—madje vdiq që në fillim të reformës kur opozita u ul në tavolinë me Damian Gjiknurin shënjestrën e saj kryesore për manipulimin e zgjedhjeve.

I hoqi opozitës kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Para reformës opozita kërkonte zgjedhje të parakohshme, pas reformës zgjedhjet e parakohshme edhe toerikisht u bënë të pamundura

I hoqi opozitës kërkesën për qeveri kujdestare pa të si kryeministër. Para reformës opozita kërkonte qeveri kudjestare pa Ramën kryeministër, por pas reformës ky opsion ka mbaruar. E njejta gjë edhe për drejtimin e policisë së shtetit. Rama mund të jetë i lumtur që t’i japë opozitës disa portofole ministrore për pak muaj, një përsëritje e 2017-s, por kjo do të ishte vetëvrasje për opozitën.

Dobësoi lidhjet e opozitës me lëvizjet dhe grupimet qytetare. Para reformës opozita kishte një marrëdhënie më të mirë me shumë lëvizje qytetare, por ngaqë në reformë u bashkua me Ramën për mos ndryshimin e sistemit, opozita doli ga reforma e acaruar dhe e prishur, të paktën për tani, me këto grupime. Jo pa vlerë, është edhe prishja tani për tani e mundësisë për bashkëpunim me disa deputetë me ndikim që mbeten në Kuvend, të cilët mund të ribashkoheshin me opozitën, të tillë si Murrizi dhe Hajdari.

Prishi teatrin pa asnjë pasojë. Para reformës, opozita ishte kauzë të mbronte teatrin, por teatri u prish dhe opozita nuk reagoi për shkak të reformës. Një përpjekje e saj për tu larguar nga tavolina politike si përgjigje ndaj prishjes së teatrit u shua menjëherë nga presioni i ndërkombëtarëve.

Acaroi opozitën me ambasadoren amerikane. Për çfarëdo rëndësie apo jo rëndësie që mund të ketë, me reformën dhe ndikimin total të saj tek të huajt, Rama arriti që ta acarojë, të paktën përkohësisht, marrëdhënien e opozitës me ambasadoren amerikane.

Plotësoi një nga kushtet kryesore për fillimin e negociatave. Para reformës, vetë reforma ishte kusht i rëndësishëm i opozitës dhe i botës. Pas reformës ky kusht u plotësua pa ndryshuar asgjë, pra praktikisht pa bërë asnjë reformë.

Amortizoi pasojat dhe efektin e shkeljeve kushtetuese dhe grumbullimit të pushtetit në duar të tij. Njëra pas tjetrës, Komisioni i Venecias dhe institucione të tjera kanë dënuar ligje, veprime dhe marrje kompetencash nga Edi Rama, përfshi ato për Gjykatën Kushtetuese, për ligjin anti-shpifje, për vetingun, për ndryshimin e kodit penal. Opozita që luftoi për vite për këto kauza, nuk reagoi për asnjërën prej tyre, veç ndonjë statusi të thatë në Facebook.

Ka mbajtur të hapur rrugën për të manipuluar sërish zgjedhjet. Asgjë nuk ka ndryshuar nga viti 2017. As ligjërisht, as politikisht as në ndonjë aspekt tjetër. Me gjasa nuk ka ndryshuar as dëshira e Edi Ramës për të manipuluar sërish zgjedhjet.

Çfarë humbi Rama nga reforma? Asgjë. Rama shiti sapunin për djath, të cilin opozita e bleu duke dhënë shumë nga kapitali politik që kishte.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>