Qeveria si call-center e biznesit — Fjala mediokre e kryeministrit me sipërmarrësit

Qeveria si call-center e biznesit — Fjala mediokre e kryeministrit me sipërmarrësit

Kryeministri Rama mbajti sot një fjalim përpara biznesmenëve më të mëdhenj të vendit, të cilët i kishte mbledhur në godinën e Kryeministrisë.

Thelbi i fjalimit ishte rëndësia e madhe që qeveria do t’u japë bizneseve nga tani e tutje, veçanërisht kërkesave dhe ankesave të tyre ndaj qeverisë.

E vetmja politikë konkrete që propozi ishte lehtësirat fiskale për hotelet me katër dhe pesë yje që operojnë në vend.

“Ne do të lançojmë një paketë të re për turizmin duke vendosur një sistem pa taksa për çdo investim në turizëm që do të ketë çertifikim ose operim me një nga firmat globale të turizmit. Investimi behet pa asnjë taksë dhe operimi 10 vjet pa taksë”.

Fjalimi ishte populist, me një zhargon të rëndomtë qe nuk kishte lidhje as me postin e Kryeministrit dhe as me ekonominë.

Në pjesën më të madhe të fjalimit, ai i paraqiti  ministrat si sekretarë të caktuar për të marrë mesazhe e telefonata nga sipërmarrësit dhe për t’ju kthere atyre përgjigje.

Të krijohej përshtypja se qeveria do të ishte një call-center në funksion të sipërmarrësve:

Çdo ministër do të ngrejë telefonin duke filluar nga ministri i financave që duhet të jetë në dispozicionin tuaj;

Ne do arrijnë në ditën kur sipërmarrësve shteti ti ngrihet në këmbë me respekt që të mos guxojnë asnjë ministër të mos ngreje telefonin kur e merr një taksapagues i madh;

Nëse ngacmojnë [punonjësi i doganës apo tatimeve] një sipërmarrës, fjala shkon në sekondë në zyrën e Kryeministrit. Dhe ta mendojnë një herë, dy herë, pesë here.

Ai foli për punonjësit e doganave, tatimeve dhe inspektoriateve duke i quajtur ata “Zyrtar apo zyrtaruç që të del përpara për të marrë rryshfet” duke u shprehur se:

Nuk po kërkoj të hapni barkun. Jo barkun se po të hapnit barkun kushedi se çdo thoshte Shqipëria;

Besoj se ju keni eksperienca të jashtëzakonshme me budallallëqet dhe me marrëzit që kërkohen nga ju kur duhet të kaloni në doganë; kur duhet t’i drejtoheni atyre agjentëve si quhen që do largohen nga dogana, ato me xhinse dhe me çantë me rryp, që ndërmjetësojnë se ca ndërmjetësojnë ato, me ata zhagulanë atje që ndërmjetësojnë proceset me sipërmarrjen dhe shtetin, një tufë sekserësh të zyratrizuar në atë portin e Durrësit;

Përveç tatimeve dhe doganave që do vazhdojnë normalisht edhe vetë hetimi i famshëm doganorë faktikisht është në kazermë dhe lëviz vetëm me një leje shumë të detajuar për të shkuar dhe bërë hetime;

Policia gri është kthyer në kazermë sa të fshihen nga struktura dhe të ikin në shtëpi.

Inspektoriatet nuk do vendosin asnjë gjobë deri sa të bëhet ristrukturimi;

Të lënë njerëzit të marrin frymë derisa të bëhet ristrukturimi, e verteta është që janë banda që lëshohen në emër të mbrojtjes së ujit, pyjeve, kulllotave dhe i bien në qafë cdo njeriu që bënë një punë;

Jo zonë e mbrojtur; jo po ajrin e ke mbajtur; jo po muzikën e ke te lartë; dhe bum e bum gjoba e mbi gjobë.

Ai i udhëzoi sipërmarrësit si të sillen me punonjësit e administratës, duke i thënë se:

Ju jepini urdhër atyre që presin këta trokitësit (punonjësit e doganave, tatimeve, inspektoriateve, etj) nuk duhet ti pranojnë nëse nuk janë të veshur si duhet. Me bluxhinse, me bluza me shqiponja me tre koka dhe me ato maska hallouini shfaqen atje me pantallona të shkurtra dhe kërkojnë llogari nga kompanitë më të mëdha të Shqipërisë. Kur të shkoj në kompani duhet të shohë veten në pasqyrë;

Vijnë atje me shapka dhe mbajnë në presion kompanitë më të madha të Shqipërisë. Dhe detyroheni ju nga ato me shpaka dhe ato me canta që nuk kuptohet se çfarë kanë pistoleta, çigare apo bukë me vete. Nuk do lëmë të kalojë asnjë mi nën mustaqe;

Ti zbardhin faqen këtij vendi duke pastruar llumin e korrupsionit që në fakt në kaq shumë vite është kthyer në një zullum të madh;

Kryeministri e mbylli fjalën e tij duke u shprehur se:

Me shpenzimet tona kemi bërë edhe një koktelj duke qene se ju kohet e fundit nuk keni bërë koktejle se keni pasur probleme financiare jeni të ftuar ta shijoni bashkë me ne.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>