Fondi Monetar Ndërkombëtar po i bën presion qeverisë për rritje të të ardhurave. Sipas Revistës Monitor, FMN nuk është e kënaqur me treguesit ekonomikë të vendit, veçanërisht mbledhjen e të ardhurave.
FMN i ka kërkuar qeverisë që të rrisë taksat nëse nuk gjen mënyrë tjetër për rritjen e të ardhurave. Por qeveria duket se nuk është e gatshme për një rritje të re taksash, pasi kjo mund të kishte kosto politike për të.
Sot, Ministri Ahmetaj madje deklaroi se jo vetëm nuk do të ketë rritje taksash por qeveria do të ulë taksat për vitin e ardhshëm.
Misioni që FMN-ja po zhvillon në Tiranë ka rëndësi të veçantë, pasi do të vendosë për dhënien ose jo të këstit prej 26 milionë Eurosh, të cilin FMN nuk e firmosi në korrik, duke mos qenë optimiste për gjendjen financiare të vendit. FMN-ja do të bëjë të ditur vendimin e saj përpara datës 10 nëntor.