Varfëria në Shqipëri dhe pritshmëritë e ulëta për të ardhmen do të ndikojnë në rritjen e largimit të shqiptarëve në emigracion. Ky është një nga përfundimet e studimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, lidhur me varfërinë dhe pabarazinë në Ballkanin Perëndimor.
Në studim janë analizuar të dhënat makroekonomike të vendeve të Ballkanit pas krizës financiare të vitit 2008. Shqipëria dhe Kosova renditen të parat me migrimin më të lartë neto (diferenca mes imigrimit dhe emigrimit) në rajon.
Shqipëria, gjithashtu, është një prej vendeve që ka rritjen më të madhe të varfërisë pas vitit 2008, dhe kjo është një ndër arsyet kryesore të largimit të qindra mijëra shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit – mbi 66 mijë të larguar vetëm gjatë vitit 2015.
Po për të njëjtën temë, foli pak ditë më parë dhe ekspertja e BE-së për Mirëqenien, Alina Mungiu-Pippidi. Ajo, ndër të tjera, e lidhi numrin e madh të largimit të shqiptarëve me korrupsionin e lartë në vend.
Sipas Transparency International, Shqipëria ka korrupsionin më të lartë ndër shtetet e Ballkanit që aspirojnë të integrohen në BE. “Sa më i lartë indeksi i korrupsionit në një vend, aq më e lartë është edhe përqindja e largimit të trurit,” u shpreh ekspertja. Ajo shtoi se, mbi të gjitha, shqiptarët kanë humbur besimin se ky korrupsion mund të luftohet nga qeveria, dhe kjo është ajo që i detyron ata të largohen përfundimisht.
Artikuj të lidhur:
Ikje masive: Gati 10 për qind e popullsisë ka tentuar të emigrojë më 2015
60 për qind e të rinjve shqiptar duan të largohen nga Shqipëria