Fondet e BE-së për rindërtimin do të menaxhohen nga UNDP, jo qeveria Rama

Nga Exit News
Fondet e BE-së për rindërtimin do të menaxhohen nga UNDP, jo qeveria Rama

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka sqaruar mënyrën se si do të menaxhohen fondet e BE-së për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.

Të pyetur nga Exit News, Delegacioni deklaroi se “fondet e dhëna nga BE për rehabilitimin dhe rindërtimin e shkollave [të dëmtuara nga tërmeti] do të menaxhohen nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (UNDP).”

Exit pyeti se si BE-ja do të sigurojë respektimin e standardeve të transparencës për menaxhimin e fondeve. Ata deklaruan se transparenca dhe standardet e menaxhimit janë ato të rënë dakord në Marrëveshjen e Kornizës Financiare dhe Administrative midis Kombet e Bashkuara dhe Komisionit Evropian dhe janë të përfshira në kontratën mes BE-së dhe UNDP-së.

“BE punon me UNDP dhe organizata të tjera që kaluan një vlerësim të rreptë për procedurat e tyre të menaxhimit, prokurimit dhe transparencës,” shkruan BE-ja në deklaratën e tyre për Exit News.

Për sa i përket premtime për fonde nga shtetet anëtare të BE-së, Delegacioni deklaroi se secili shtet është përgjegjës për administrimin e tyre, sipas natyrës specifike dhe fokusit. Përveç kësaj, Delegacioni i BE-së dhe shtetet anëtare rregullisht ndajnë informacion mbi mbështetjen e dhënë për rindërtimin pas tërmetit.

Proceset e prokurimit që do të përdoren për të menaxhuar ndihmën e rindërtimit të BE-së, janë ato të UNDP-së të cilat më parë ishin vlerësuar nga BE-ja në kontekstin e negociatave për Marrëveshjen Kornizë. Pas vlerësimit, u vendos që ata ofrojnë një nivel të barabartë sigurie me proceset e prokurimit të BE-së.

Rregullat dhe proceset e UNDP-së, sigurojnë “trajtim të drejtë dhe të barabartë të ofertuesve të mundshëm”. Delegacioni tha se do të sigurojë monitorim të rregullt të gjithë këtij procesi.

Delegacioni sqaroi se dy tenderët e anuluar kohët e fundit nga qeveria shqiptare në lidhje me ndërtimin e rreth 3000 shtëpive, nuk kanë të bëjnë me fondet e BE-së për rindërtimin pas tërmetit.

Exit News ka ngritur më parë shqetësime se kompanitë e shteteve anëtare të BE-së janë të përjashtuara nga pjesëmarrja në tenderët për projektet e rindërtimit. Kjo për faktin se afati për aplikimet e përcaktuara nga qeveria në disa raste, ishte vetëm nëntë nga 20 ditët që parashikon ligji. Tani është e qartë se proceset e prokurimit menaxhohen nga UNDP, dhe jo nga Delegacioni i BE-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>