Forca e Ligjit nis punën me hetimin e pasurisë së Altin Hajrit

Forca e Ligjit nis punën me hetimin e pasurisë së Altin Hajrit

Operacioni Forca e Ligjit, njësia speciale që do të zbatojë ligjin Anti-KÇK, ka nisur sot punën në terren.

Sipas BalkanWeb, OFL ka nisur punën për verifikimin e pasurisë së Altin Hajrit në Shkozet, i shpallur në kërkim si i përfshirë në rrëmbimin dhe dhunimin deri në vdekje të 49-vjeçarit Jan Prenga.

Po ashtu, 12 drejtoritë vendore të policisë kanë përgatitur lista me emrat e gjithë personave që preken nga paketa anti-KÇK dhe ia kanë dërguar ato departamentit të policisë kriminale.

Gjithashtu të burgosurit që dyshohet se kanë vënë pasuri nga aktiviteti kriminal duhet të plotësojnë një formular për deklarimin e pasurisë. Këto formularë më pas do t’i dërgohet SPAK-ut që ka afat 15 ditë për tu shprehur; po kaq afat ka më pas dhe gjykata.

Të dënuarit apo të dyshuarit që duhet të plotësojnë formularin e pasurisë janë ata që janë dënuar apo janë nën hetim për 44 vepra penale, ku përfshihen organizata kriminale, banda e armatosur, grupet kriminale, vrasjet, organizatat terroriste, rrëmbimet, pengmarrjet, trafiqet e armëve dhe të drogës, prostitucioni, vjedhjet.

Përveç të dënuarve dhe të dyshuarve, edhe familjarët e tyre dhe çdo person i dyshuar për lidhje me to, duhet të deklarojnë burimet e ligjshme të sigurimit të pasurive, shkakun e posedimit, sqarimin e mënyrës së fitimit të pasurisë dhe çdo informacion tjetër lidhur me pasurinë.

Në rast se prokuroria dhe gjykata vendos se nuk ka burime të ligjshme për justifikimin e pasurisë, atëherë ajo do të konfiskohet.

Paketa anti-KÇK parashikon dhe që në raste emergjente,  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron vendosjen e masës së sekuestros së pasurisë edhe pa vendim gjykate.

Për të mësuar më tepër rreth paketës Anti-KÇK dhe çfarë parashikon ajo, lexoni këtu.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme