Fotoreportazh nga Durrësi: Mes dëmeve të tërmetit dhe kaosit të pasojave

Nga Gerard Gega
Fotoreportazh nga Durrësi: Mes dëmeve të tërmetit dhe kaosit të pasojave

Gjendja vazhdon të jetë kaotike në zonën e plazhit në Durrës. Dy ditë pas tërmetit të fuqishëm, i cili vrau dhjetëra njerëz dhe rrënoi disa hotele, shtëpi dhe pallate lëkundjet vazhdojnë.

Shumë prej qytetarëve janë larguar prej banesave të tyre. Të tjerë presin të sistemohen në 30 çadrat e ngritura në aneksin e stadiumit Niko Dovana, por autoritetet po shfaqin mungesë të theksuar koordinimi. Pas pasdites, meteorologët parashikojnë reshje shiu çka mund ta rëndojë situatën.

Zona e plazhit, Durrës.

Në zonën e plazhit ndërtesat janë zbrazur, por vetëm disa prej tyre janë bllokuar nga autoritet duke u rrethuar me shirit, pavarësisht se dëmtimet shihen qartë edhe me sy të lirë. Njerëzit e vetëm që mund të shikosh rrugëve janë kryesisht dyqanxhinjtë ose endacakët.

Zona e plazhit, Durrës.

Ndjesia e rrezikut dhe pasojave të tërmetit ndihen sa kalon nën mbikalimin e Shkozetit. Lëkundjet e forta të datës 26 nëntor kanë plasaritur dy nga këmbët e saj. Goditjet me forcë mbi 4 dhe 5 të shkallës Richter vazhdojnë të bien. dhe ura është e rrezikuar por poshtë saj lejohet qarkullimi.

Ura e Shkozetit, Durrës.

Pasojat e tërmetit shihen në çdo anë në zonën e plazhit, por më dramatike duken rrënojat e vilës që zunë familjen Lala apo rrënojat e hotelit Mira Mare që zunë 4 persona.

Skuadra e kërkim-shpëtimit në rrënojat e hotelit Miramare, Durrës.

Në qytet pasojat nuk janë aq të dukshme me sy të lirë. Gjithsesi frika ka mbërthyer gjithkënd, ndërsa autoritetet nuk kanë koordinim për t’u shërbyer.

Shpërndarja e ndihmave në Gjimnazin Leonik Tomeo bëhej në mënyrë kaotike dhe gati çnjerëzore. Pa drejtim. Pa përgjegjësi. Askush nuk u fliste një fjalë fatkeqëve. Nuk kishte radhë. Njerëzit nuk lejoheshin të futeshin brenda në oborrin e shkollës. Ushqime të shpejta i jepeshin kujt lypte me dorë përtej kanxhellave.

Përtej kanxhellave të shkollës Leonik Tomeo.
Përtej kanxhellave të shkollës Leonik Tomeo
Njerëz në pritje përballë shkollës Leonik Tomeo

E njëjta rrëmujë shihej edhe jashtë Stadiumit Niko Dovana. Turma njerëzish që qëndronin në pritje, ndërkohë që askush nuk shfaqej për të dhënë drejtim. Disa çadra provizore të vëna për t’u shërbyer njerëzve ishin ndër më të populluarat. Aktualisht deri pas drekës, po punohej për bërjen gati të çadrave blu në aneksin e stadiumit.

Çadrat e ngritura nga italianët në aneksin e Stadiumit Niko Dovana.
Çadrat e ngritura nga italianët me sistem elektrik.

Koha kalon, dhe me lëkundjet që nuk po reshtin, njerëzit nuk e ruanin dot më qetësinë. Për rreth 30 çadra blu, të cilat mund të ofrojnë strehë më të sigurtë në rast shiu, nuk kishte aspak organizim për komunikimin me njerëzit, ndarjen, zgjedhjen dhe përshpejtimin e procesit.

Banorë të Durrësit në pritje për t’u shërbyer dhe strehuar në çadra.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>