Frika nga spitalet po rrit numrin e viktimave me Covid-19 në Meksikë

Nga Exit News
Frika nga spitalet po rrit numrin e viktimave me Covid-19 në Meksikë

Meksika po përballet me një nga shpërthimet më të këqija të koronavirusit në botë, me mbi 52 mijë viktima të konfirmuara, numri i tretë më i lartë në botë.  Lufta e saj është bërë edhe më e vështirë nga një fenomen: frika e rrënjosur thellë tek qytetarët nga spitalet.

Ndërsa pandemia po kolapson çdo ditë e më tepër një sistem të dobët shëndetësor, shumë meksikanë e shohin spitalin si një vend ku të pret vetëm vdekja – ndaj duhet të shmanget me çdo kusht.

Mjekët thonë se pasojat e kësaj mendësie janë të rënda. Meksikanët presin deri sa bëhen keq dhe vetëm pastaj kërkojnë ndihmë në spitale. Por doktorëve nuk i ngelet shumë për të bërë në këto raste.

Mijëra po vdesin përpara se të arrijnë ne spital, tregojnë të dhënat e qeverisë.

Të luftosh infeksionin në shtëpi e përhap sëmundjen më shumë, thonë epidemiologët, por fsheh dhe numrat e vërtet të të vdekurve.

Meksikanët shprehen se kanë arsye për të pasur frikë nga spitalet: rreth 40 përqind e atyre që shtrohen, vdesin.

Shifrat zyrtare tregojnë një normë të lartë vdekshmërie në krahasim edhe me disa nga vendet me numrin më të lartë të infektimeve në botë. Gjatë pikut në New York, më pak se 25 përqind e pacientëve vdiqën në spitale, sipas studimeve të fundit.

Pavarësisht se statistikat mund të jenë të pasakta, doktorët konfirmojnë se shumë njerëz po vdesin në spitale.

Gjatë shpërthimit të virusit në maj, gati gjysma e vdekjeve me Covid-19 në spitalet e kryeqytetit ndodhën brenda 12 orëve që pacientët shtroheshin në spitale, thotë ministrja e shëndetësisë së Meksikës.

Ndërsa në SHBA, të infektuarit që vdiqën, qëndruan për mesatarisht 5 ditë në spital.

Doktorët thanë se shumë nga pacientët do të kishin jetuar, nëse do të kërkonin ndihmë në spital më shpejt. Duke vonuar trajtimin, ata thjeshtë vënë më shumë jetën në rrezik.

Mosbesimi ka shkuar deri aty sa familjarët e pacientëve kanë filluar të sulmojnë stafin mjekësor, duke filmuar vetën afër të vdekurve dhe duke i thënë medias që spitalet po i vdesin të afërmit e tyre.

Qeveria ka deklaruar se gjatë tre muajve të pranverës, ka pasur 71 mijë të vdekur më shumë se sa mesatarja krahasuar me vitet e tjera – një tregues se virusi ka shkaktuar më shumë se sa tregojnë shifrat zyrtare.

70 përqind e meksikanëve thanë se ata nuk ndihen të sigurtë të çojnë të afërmit e tyre në spital gjatë pandemisë, dhe një e treta tha se ata preferonin t’i shërbenin vete të afërmëve të tyre të sëmurë.

Tani zyrtarët e lartë të shëndetësisë po trajtojnë rezistencën e qytetarëve për të shkuar në spital.

‘Është shumë e rëndësishme të theksohet se trajtimi i vonuar mund të çojë në përkeqësim të gjendjes së të infektuarve, deri në vdekje,’ tha drejtuesi i komitetit të Meksikës për masat ndaj Covid-19. ‘Ju lutem shkoni në spital shpejt, në veçanti personat që janë më në rrezik.’

Dr. López, Ministrja e Shëndetit i Meksikës, tha se thashethemet e përhapura për spitalet dhe mjekët mes njerëzve janë thjesht dashakeqese.

Disa prej thashethemeve pretendonin se mjekët i marrin lëngun nga gjunjët pacientëve, ose se po grumbullojnë të dhënat e pacientëve për interesat e tyre, përmes matjeve me oksimetër – aparati që mat nivelet e oksigjenit në gjak.

Një doktor tha se në klinikën e tij mjekët bëjnë matje me oksimetër për t’u treguar pacientëve se ata po matin nivelin e oksigjenit, dhe jo për të regjistruar të dhënat personale.

Disa ditë para se një prej viktimave të shkonte në spital, ai u vizitua tek një mjek në qytetin e tij. Nivelet e tij të oksigjenit ishin të ulta, por ai iu lut gruas së tij, që të mos e dërgonte në spital.

Në momentin kur ai ishte penduar dhe kërkoi të shkonte në spital, ai ishte shkatërruar nga sëmundja.

Në atë gjendje, spitali lokal e refuzoi dhe ai shkoi në kryeqytet. Ai vdiq në spitalin e kryeqytetit, përpara se mjekët të mund ta intubonin.

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>