Qindra qytetarë kaluan mbrëmjen e dytë jashtë banesave të tyre në Tiranë. Të frikësuar nga pasoja të mundshme në rast të ndonjë tërmeti të fortë, makinat u kthyen në strehë për qindra banorë të cilët parkuan rrugëve kryesore të kryeqytetit dhe vendosën të kalonin edhe mbrëmjen e dytë jashtë shtëpive.
Më shumë se 20 tërmete u regjistruan pas orës 22:00 të mbrëmjes së 27 nëntorit në Durrës dhe Tiranë. Pas tërmetit me magnitudë 5.3 që u ndje pasdite, qindra qytetarë u ndjenë të pasigurt në mbrëmje pasi lëkundjet me magnitudë mbi 4 ballë u ripërsëritën disa herë brenda pak minutash rreth mesnatës.
Videoja e mëposhtme tregon gjendjen pas mesnate të rrugëve kryesore ku qindra qytetarë rendën të zënë vend për të kaluar natën në Bulevardin e Ri, Sheshin Nënë Tereza apo dhe në Unazën e Madhe.
Tërmeti i fortë me magnitudë 6.4 që tronditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit la rreth 40 të vdekur, mbi 650 të plagosur dhe qindra shtëpi të rrënuara. Lëkundjet e shpeshta frikësuan qytetarët aq sa ta kalonin mbrëmjen jashtë. Shumë të tjerë janë larguar nga kryeqyteti.