Frontex: Numri i azilkërkuesve shqiptarë u rrit me 70 përqind gjatë 2017-ës

Frontex: Numri i azilkërkuesve shqiptarë u rrit me 70 përqind gjatë 2017-ës

Gjatë vitit 2017, numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së gjatë vitit 2017 është rritur me 70 për qind krahasuar me një vit më parë.

Kështu shkruan Frontex, Agjencia Europiane Kufitare dhe Rojeve Bregdetare, në raportin e përvitshëm me të dhëna nga kufijtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2017. Sipas raportit, Shqipëria jo vetëm është një vend kalimi për emigrantët e paligjshëm të kombësive të ndryshme që duan të kalojnë në Evropë, por dhe vend-burimi për shumë azilkërkues, pavarësisht se Shqipëria është shpallur vend i sigurtë origjine nga vendet e BE-së.

Shqipëria, pavarësisht se është pjesë e vendeve që lëvizin lirisht në BE, renditet e para në rajon për numrin e azilkërkuesve të paligjshëm në  vendet kryesore të BE-së si Gjermania dhe Franca.

Refuzimet

Gjatë vitit 2017, 23 423 shqiptarëve i është refuzuar hyrja në një shtet të Bashkimit Evropian. Për këtë tregues Shqipëria renditet e para, duke lënë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Sipas të dhënave rreth 10 mijë shqiptarë nuk janë lejuar të hyjnë në Greqi gjatë viti 2017.

Krahasuar me një vit më parë, numri i shqiptarëve që janë refuzuar në kufi është dyfishuar.

Qëndrimet e paligjshme, raportuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve fqinje

Gjatë vitit 2017, 1024 shqiptarë kanë qendruar në mënyrë te paligjshme në një prej vendeve të BE-së. krahasuar me një vit më parë, kjo shifër u rrit me 30 për qind.

Aplikimet për azil

Në vitin 2017, 2461 shqiptarë aplikuan për azil në një prej vendeve të Bashkimit Evropian. Krahasuar me një vit më parë kjo shifër është rritur me rreth 70 për qind.

Megjithëse prej vitesh tashmë, vendet e BE-së kanë deklaruar se nuk do të pranojnë kërkesa për azil nga shqiptarët dhe qeveria ka ndërmarrë masa për të ulur numrin e azilkërkuesve, duket se këto masa nuk kanë funksionuar.

Përdorimi i dokumenteve të rreme

Në vitin 2017, 490 shqiptarë kanë përdorur dokumente të rreme (pashaporta, ID apo leje qëndrimi) për të kaluar kufijtë drejt vendeve të BE-së. Edhe për këtë tregues, shqiptarët renditen të parët, duke lënë pas Kosovën dhe Iranin.

Krahasuar me një vit më parë, shifra e shqiptarëve që përdorin dokumente të rreme për të kaluar kufijtë është rritur me 36 për qind..

Në gusht të viti 2017 u miratua një procedure e re pune për të ndaluar shqiptarët të moskeqpërdorim të drejtën e tyre për të lëvizuar lirisht në be.

Rastet e përdorimit të dokumentave të rreme nga shqiptarët janë raportuar në Itali, Mbretëri e Bashkuar, Francë dhe Irlandë, 62 për qind e nga 3 174 dokumenta shqiptare të kapura nga këto vende janë të rreme.

Pjesa më e madhe e rasteve janë zbuluar në Britani dhe Irlandë, ndërsa Italia dhe Franca shprehen se shqiptarët i përdorin dokumentat fallso për të dalë nga këto dy vende dhe për të emigruar në Britani dhe Irlandë. Këto dy vende janë destinacioni i preferuar nga 85 përqind të emigrantëve shqiptarë.

Për kalimet e paligjshme përmes vend-kalimeve kufitare

Gjatë vitit 2017, 8154 persona kanë kaluar në mënyrë të paligjshme përmes vend-kalimeve kufitare Shqipëri-Greqi. Krahasuar me një vit më parë, numri i personave që ka kaluar është rritur me 14 për qind. Kalimi tokësor Shqipëri-Greqi është kalimi i dytë më i përdorur pas atij mes Hungarisë dhe Serbisë.

Gjatë vitit 2017, 8552 shqiptarë kanë kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme, duke e renditur kombësinë shqiptare të parën kombësi për numrin e lartë të qytetarëve që kaluan kufijtë në mënyrë të paligjshme. Shqipëria lë pas vende si Pakistani, Afganistani e Siria.

Trafikimi i lëndëve narkotike

Kanabis vazhdon të mbetet një nga drogërat më të trafikuara nga rajoni i Ballkanit në krahasim me drogërat e tjera. 23 ton kanabis janë kapur në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë. Të njëjtat vende kanë deklarauar se kanë kapur edhe heroinë gjatë vitit 2017.

Klima e butë e Shqipërisë dhe zonat rurale të izoluar kanë ndihmuar në zhvillimin e trafikut të drogës duke e kthyer Shqipërinë në në prodhuesin kryesor të kanabisit.

Pavarësisht rënies së ndjeshme në 2o14 dhe 2015 pas operacionit të Policisë shqiptare në Lazarat, grupet kriminale të trafikimin të drogës në Shqipëri rifilluan të vepronin në vitin 2016 dhe 2017 duke rritur prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Ky fluks i lartë solli rënien e çmimit të kanabisit në treg ku një kilogram kanabis u shit për 350 euro.

Qeveria shqiptare ndërmori një plan për ndalimin e kultivimit të kanabisit, por pavarësisht kësaj mbjedhja e kanabisit në Shqipëri po vazhdon.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>