Fushatë shpifjesh ndaj gazetarëve të KRIK në Serbi pas akuzave ndaj Vuçiç

Nga Exit News
Fushatë shpifjesh ndaj gazetarëve të KRIK në Serbi pas akuzave ndaj Vuçiç

Media pro-qeveritare në Serbi filloi të premten një fushatë shpifjesh kundër Rrjetit të Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit, KRIK pasi publikoi transkriptime nga dëshmia në prokurori e udhëheqësit të dyshuar të një grupi kriminal që pretendon se Presidenti Aleksandër Vuçiç i kërkonte vazhdimisht favore.

Veljko Belivuk u arrestua në shkurt dhe u akuzua për drejtimin e një bande kriminale që sipas autoriteteve ishte përgjegjëse për disa vrasje.

KRIK publikoi të enjten pjesë të dëshmisë së Belivuk në të cilën ai tregon se si Presidenti Vuçiç dhe aleatë të tij i kishin kërkuar të ndalonte koret e tifozëve në stadium kundër presidentit, të frikësonte protestuesit anti-qeveritarë, të siguronte që një paradë LGBT të mbahej pa incidente dhe të parandalonte shoferët e taksive në Beograd të protestonin kundër bërjes së detyrueshme të instalimit të një aplikacioni në celular.

Vuçiç menjëherë e mohoi se ai ishte takuar ndonjëherë me Belivuk, duke deklaruar se ai ishte i gatshëm të shkonte burg nëse pretendimet e Belivuk rezultonin të vërteta.

Ditën tjetër, megjithatë, titujt në tabloidet pro-qeveritarë akuzuan reporterët e KRIK-ut se kanë punuar me bandën e Belivuk për të rrëzuar presidentin.

Informer, shkroi se KRIK kishte vënë në rrezik jetën e Vuçiç duke “bashkëpunuar” me bandën serbe.

Sipas Objektiv, një media tjetër pro-qeveritare, KRIK është një grup “mafioz”.

Sulmet kundër KRIK janë një reagim ndaj zbulimeve të së enjtes rreth lidhjeve të Belivuk me njerëzit e qeverisë, i tha OCCRP kryeredaktori i KRIK, Stevan Dojçinovi.

Dojçinoviç rikujtoi se KRIK ishte në të vërtetë media e parë në Serbi që shkruajti për bandën e Belivuk shumë kohë para se ai të arrestohej dhe kur askush tjetër nuk guxonte të shkruante për të.

Koalicioni i Serbisë për Lirinë e Medias dënoi sulmin e mediave pro-qeveritare kundër KRIK, duke e përshkruar atë si një kriminalizim të orkestruar, nënçmues kundër gazetarëve dhe redaktorëve të KRIK, të cilët janë kthyer në shënjestra në një mjedis linçimi.

“Fushata të tilla janë bërë një dukuri e përditshme për gazetarët dhe mediat e pavarura në Serbi. Politikanët, deputetët dhe zyrtarët e lartë të shtetit marrin pjesë në to, duke mos kursyer asnjë fjalë kur bëhet fjalë për sulmet ndaj mediave të pavarura,” tha Koalicioni në një deklaratë.

Veljko Belivuk njohet si udhëheqësi i “Principi” – një klub tifozësh të klubit të futbollit të Partizanit të Beogradit – por gjithashtu si anëtar i njërit prej dy klaneve famëkeq kriminale të Malit të Zi – Kavaç.

Në një operacion të gjerë antimafia, policia serbe arrestoi në shkurt Belivuk dhe 16 persona të tjerë të dyshuar si anëtarë të një grupi të organizuar që kryente krime të rënda, përfshi rrëmbime dhe vrasje.

Pas arrestimeve, KRIK u sulmua në një fushate të ngjashme shpifjesh në të cilën reporterët e saj u akuzuan se kishin punuar për Belivuk, vetëm sepse botuan një hetim duke pretenduar se anëtarët e klanit Kavaç kishin pasur lidhje me qeverinë dhe Partinë Progresiste Serbe të Presidentit Vuçiç.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>