Gjatë 24 orëve të fundit për shkak të koronavirusit në Evropë janë anuluar të paktën 3 ndeshje futbolli.
Inter-Getafe e Sevilla-Roma në Europa League dhe Manchester City-Arsenal në Premier League, janë pamundësuar për t’u luajtur për shkaqe sigurie.
Në Angli ndeshja mes Manchester City e Arsenal, e parashikuar për t’u luajtur sot, u shty për shkak se Evangelos Marinakis pronari i klubit grek Olympiakos dhe klubit anglez Nottingham Forest është infektuar me koronavirus.
Dy javë më parë Marinakis ishte në Londër kur Olympiakos luajti me Arsenalin në Europa League. Zyrtarë dhe lojtarë të Arsenalit kanë pasur kontakte të afërta me të në mjediset e stadiumit Emirates.
Në Spanjë, Presidenti i Getafes, Angel Torres njoftoi se nuk do ta dërgojë skuadrën në Milano për të luajtur kundër Interit në Europa League.
Pak më vonë klubi i Romës njoftoi se nuk u nis për në Spanjë për të luajtur ndeshjen kundër Sevillas, pasi autoritetet spanjolle nuk i kanë dhënë dritën jeshile udhëtimit nga Roma në Andaluzi.
Sporti duket në prag pezullimi total, pasi shoqatat e futbollistëve në Itali e Spanjë kanë kërkuar ditët e fundit ndalimin e plotë të aktiviteteve.