Për shkak të pandemisë së koronavirusit, futbolli në mbarë botën ka ndërprerë aktivitetet prej më shumë se një muaji.
Nga kjo situatë 5 kampionatet më të ndjekura në Evropë janë më të prekurat ekonomikisht.
Ndërprerja e sezoneve, apo mbyllja e parakohshme e tyre rrezikon t’i vërë klubet kryesore përballë një dëmi të madh financiar lidhur me kontratat e sponsorëve apo të drejtat televizive që ato duhet të përmbushin.
Për të shmangur këtë gjë ka pasur shumë hamendësime, por e sigurt deri më sot është fakti se shumica kërkon që futbolli të rinisë sa më shpejt.
Në Spanjë dhe Itali është më e kërkuar duke qenë se kampionatet ishin të hapura me diferenca me 1 dhe 2 pikë mes Barcelonës dhe Realit të Madridit apo Juventusit e Lazios.
Exit News sjell më poshtë diksutimet dhe idetë e përgjithshme.
La Liga, Spanjë
Kampionati u ndërpre në javën e 28-të me Barcelonën në krye me 58 pikë – Reali i Madridit në vend të dytë me 2 pikë më pak.
Skuadrat duhet të luajnë edhe 10 ndeshje ndërsa klubet e mëdha po ushtrojnë presion që sezoni të mos mbyllet, pasi kjo do të shkaktonte deri në 1 miliardë euro dëme ekonomike.
Deri më sot janë propozuar 3 data: 28-29 maji, 6-7 qershori dhe 28-29 qershori.
Ndeshjet është vendosur të rinisin fillimisht pa tifozë ndërsa disa klube kanë propozuar që të luhet në vende të tjera.
Federata Spanjolle e Futbollit i ka propozuar UEFA-s që në rast mbyllje të sezoneve, kualifikimi për në kupat e Evropës të bëhet me renditjen aktuale.
Spanja është në shtetrrethim deri më 9 maj. Janë rreth 200 mijë persona të infektuar me Covid-19 atje, prej të cilëve 20 mijë kanë vdekur.
Premier League, Angli
Kampionati është ndërprerë në javën e 29-të me Liverpoolin në krye 82 pikë – Manchester City vendi i dytë, 57 pikë, një ndeshje më pak.
Shumica e klubeve kanë për të luajtur edhe 9 ndeshje. Hamendësohet se prej situatës së krijuar dhe mbylljes parakohe të sezonit klubet mund të humbasin mbi 1 miliardë euro.
Në takimin e fundit të zhvilluar të premten mes përfaqësuesve të klubeve është hedhur ideja që këto 9 javë të luhen në një kalendar 40 ditor, mirëpo nuk ka ende një datë konkrete se kur mund të rifillohet.
Kampionati duhet mbyllur brenda 31 korrikut dhe sezoni i ardhshëm të nisë, maksimumi, brenda javës së parë të shtatorit.
Britania e Madhe është në shtetrrethim deri më 7 maj. Të infektuar me Covid-19 atje janë mbi 115 mijë njerëz, prej të cilëve 15 mijë kanë vdekur.
Serie-A, Itali
Kampionati është ndërprerë në javën e 26-të, me Juventusin në krye me 63 pikë – Lazio në vend të dytë me 1 pikë më pak.
Skuadrat duhet të luajnë edhe 12 ndeshje, ndërsa janë për t’u rikuperuar edhe 8 ndeshje të anuluara.
Federata Italiane e Futbollit është shprehur se për të rinisur kampionatin do të duhen 3 javë pas lehtësimit të masave kufizuese.
Futbolli mendohet të rifillojë me masa të shtuara sigurie shëndetësore, ku shumica e lojtarëve dhe stafeve të skuadrave do të testohen për Covid-19 herë pas here.
Nëse ndokush do të rezultojë pozitiv, nuk do të vendoset në karantinë e gjithë skuadra por vetëm lojtari, ose punonjësi i skuadrës.
Autoritetet shëndetësore e kanë kundërshtuar këtë ide, po kështu edhe dy klubet e veriut, Torino dhe Brescia.
Italia është në shtetrrethim deri më 4 maj, 175 mijë vetë janë infektuar me Covid-19, prej të cilëve 23 mijë kanë vdekur.
Bundesliga, Gjermani
Kampionati u ndërpre në javën e 25-të me Bayernin në krye me 55 pikë – Dortmundi në vend të dytë me 4 pikë më pak.
Skuadrat duhet të luajnë edhe nga 9 ndeshje, ndërsa Frankfurti dhe Werder Bremen duhet të rikuperojnë dhe nga 1 ndeshje të prapambetur.
Federata Gjermane e Futbollit do të zhvillojë mbledhje më 23 prill për të diskutuar fatet e sezonit nëse duhet apo jo të rifillojë kampionati.
Nisja e sezonit shpresohet të bëhet përpara 30 qershorit, kjo me synimin që të shpëtohen rreth 300 milionë euro kontrata për të drejtat televizive.
Lojtarët sidoqoftë kanë rifilluar stërvitjet nën masa të shtuara sigurie shëndetësore.
Për rifillimin e kampionatit është propozuar që futbollistët, arbitrat dhe stafet e klubeve të testohen çdo 3-4 ditë.
Duke patur parasysh këtë aspekt Bundesliga mund të bëhet kampionati i parë që rifillon në Evropë.
Debati mbetet për faktin nëse do të ketë mjaftueshëm teste apo jo për të siguruar që lojtarët nuk do të infektohen, ndërkohë që grumbullimet janë ndaluar me ligj deri më 31 gusht.
Gjermania do të jetë deri më 3 maj në shtetrrethim. Rreth 140 mijë persona janë diagnostikuar me Covid-19, prej të cilëve rreth 4 500 kanë vdekur.
Ligue 1, Francë
Kampionati u ndërpre në javën e 28-të me Paris Saint-Germain (PSG) në vendin e parë me 68 pikë – Olympique Marseille në vendin e dytë me 8 pikë më pak.
Shumica e skuadrave duhet të luajnë edhe nga 10 ndeshje, me përjashtim të PSG-së dhe Strasbourgut që duhet të rikuperojnë një ndeshje të prapambetur.
Klubet janë nën presion për të rinisur kampionatet për shkak të kontratave televizive me grupin spanjoll Mediapro, kontrata që kushtojnë mbi 1 miliardë euro.
Ndryshe nga vendet e tjera, në Francë skuadrave nuk u është lejuar të stërviten. Kjo nuk do të lejohet deri sa të mbarojë koha e shtetrrethimit.
Kështu hamendësohet që mundësia më e mirë për rifillimin e kampionatit të jetë qershori, pa spektatorë.
Qeveria franceze ka vendosur të ndalojë grumbullimet e njerëzve deri në fund të korrikut.
Nisja e sezonit tjetër 2020-2021 – 23 gusht – kërkohet të mos influencohet nga sezoni aktual.
Propozimi më i pëlqyeshëm është që kampionati të rifillojë më 17 qershor dhe skuadrat të luajnë nga 2 herë në javë deri më 25 korrik.
Franca është në shtetrrethim deri më 11 maj. Mbi 170 mijë persona janë infektuar me Covid-19, rreht 20 mijë prej të cilëve kanë vdekur.