Gara e humbur e Shqipërisë me veten

Nga Kevin Jasini
Gara e humbur e Shqipërisë me veten

Përkeqësimi i kushteve të jetesës, problemet ekonomike në vend dhe zhgënjimi në masë i të rinjve janë situata me të cilën Shqipëria po përballet prej vitesh tashmë. Klima e ngarkuar politike po e çon qartazi vendin drejt një stanjacioni që më shumë sesa ekonomik, është ndalim i shpresës për ndryshim në vend – një situatë ku askush nuk lëviz më për të ndryshuar, ku të gjithë heqin dorë e ku në mungesë të boshteve të rëndësishme identitare, shpopullimi është e vetmja e ardhme e sigurtë për vendin.

Pavarësisht dhjetëra problemeve që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, që nga varfëria ekstreme, te infrastruktura, korrupsioni i tejskajshëm dhe menaxhimi i së mirës publike, fokus kryesor mbetet integrimi në Bashkimin Europian, i cili nga një realitet i afërt që mund të dukej në dekadën e shkuar, sot po kthehet në një iluzion të lodhshëm për hir të së cilit ndërmerret çdo veprim politik e publik, pa marrë parasysh pasojat që sjell të popullsia e mbetur në vend.

Integrimi mbetet vërtet një nga objektivat më të rëndësishme, e më shumë sesa vetë integrimi, objektiv kryesor janë reformat shtetformuese që duhen ndërmarrë në emër të tij. Në mungesë të një debati të gjerë publik mbi Bashkimin Evropian dhe të një popullsie të mirëinformuar mbi të drejtat dhe detyrimet që vinë me integrimin, kriza identitare nuk duket të lehtësohet. Po ashtu premtimet për një Shqipëri të zhvilluar brenda familjes europiane nuk po ja dalin dot të krijojnë një bosht mbi të cilin të rinjtë të investojnë të ardhmen e tyre në vend.

Sot kemi një gjeneratë të tërë të rinjsh të lindur pas viteve 90-të, për të cilët Shqipëria nuk ka më asnjë kuptim. Lidhjet shpirtërore janë po aq të varfëra sa ato materiale me vendin. Mungesa e arsimit cilësor, mundësive të punësimit, kushteve të mira të jetesës dhe e perspektivës së qëndrimit në vend, ka sjellë krijimin e një brezi që e ka të vështirë të konsiderojë veten si aset për zhvillimin e vendit. Që nga klasa e parë e deri në ditët e fundit para diplomimit në universitet, të rinjtë mësohen të zbatojnë urdhëra e të dëgjojnë, të presin ndryshimin të vi nga diku tjetër.

Mësohemi me idenë se sado të përpiqemi për të ardhmen tonë, ne fund mundi nuk do të vlejë asgjë për aq kohë sa nuk kemi lidhjet e duhura apo njohjet e mjaftueshme. Rritemi në ambjente të dhunshme e aspak miqësore, që kanë krijuar një brez të cilit i mungon ndjesia e përkatësisë, e komunitetit dhe e organizimit. Korrupsioni është normalitet, politikanët sociopatë vijojnë të idhullizohen dhe protestat studentore ndërpriten për të mbajtur rradhë për karta që nuk kanë asnjë vlerë përpos krijimit të statistikave shurdhuese për politikën.

Duke përfituar aq sa mundemi nga udhëtimi i lirë në Evropë, kemi kuptuar se paga mesatare e një studenti fatlum në Shqipëri, që ka luksin e të qenit i punësuar gjatë studimeve, vlen më pak se një biletë avioni në destinacionin më të afërt me Rinasin. Kemi kuptuar se bashkëmoshatarët tanë jashtë Shqipërisë, e në muajt e fundit dhe breza me të rinj se ne, po trondisin themelet e politikave dhe politikanëve të dështuar në Europë e më tej. Kemi kuptuar se kemi një potencial të jashtëzakonshëm të cilin në Shqipëri nuk mund ta shfrytëzojmë dot kurrë.

Arba Kokalari ishte një nga shembujt perfekt të arritjeve të një të reje shqiptare e cila nuk përballet me brrylat e Shqipërisë. E për ata që Arbën e konsiderojnë fatlume, kemi me dhjetëra shembuj të rinjsh e të rejash që shkëlqejnë në universitetet më të mira të botës, që po bëhen pjesë e lëvizjeve globale për ndryshim, që po kontribuojnë në shkencën, arsimim, kulturën, sportin dhe zhvillimin e vendeve të tjera.

Sot Shqiptarët janë populli me dëshirën më të madhe për emigrim, pikërisht për shkak të mungesës së boshteve identitare dhe lidhjeve që do e frenonin këtë dëshirë.

Sot Shqiptarët duan Europën dhe duan të jenë europianë. Të lodhur me dështimet e sistemit këto 30 vjet, nuk ka më rëndësi nëse masakrohet kushtetuta apo nëse bëhen padrejtësi, nëse nuk mbahen premtimet apo nëse qindra familje vuajnë për bukën e gojës.

Nuk ka rëndësi as fakti nëse Bashkimi Europian do të pranojë nisjen e negociatave për Shqipërinë ose jo, sepse cirku politik ofron pafund argëtim që ushqen dhe më tej dëshirën e shqiptarëve për të qenë evropianë larg Shqipërisë, dhe për këtë të fundit nuk na nevojitet drita jeshile e BE-së apo aq më shumë ajo e cirkut politik në vend, që e vetmja gjë që arrin të reformojë është kriza dhe shkatërrimi i demokracisë së brishtë ku jetojmë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>