Gazetari Olldashi — Duke hetuar bandat e drogës ne Vlorë, dola rastësisht tek vëllai i Ministrit Xhafaj

Gazetari Olldashi — Duke hetuar bandat e drogës ne Vlorë, dola rastësisht tek vëllai i Ministrit Xhafaj

Gazetari investigativ Jetmir Olldashi dha dje një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në studion e emisionit Opinion.al. Në intervistë gazetari shprehet qartë se tregtia e drogës në Vlorë bëhet në rrugë si diçka normale.

“Përshtypja ime ishte se pazari i drogës në Vlorë bëhej rrugës. U bisedua me tre persona dhe të tre ishin të gatshëm të gjenin kanabis”.

Gazetari shprehet se ai u nis për të hetuar bandat e drogës në Vlorē dhe rastësisht i doli emri i vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

“Unë kam qënë në një investigim të rastësishëm dhe dola rastësisht tek Agron Xhafaj”.

Më poshtë gjeni itenerarin e ndjekur nga gazetari Olldashi;

Një miku im më sugjeroi të takoja një personazh që njihet si babalja, tani i identifikuar si Albert Veliu.

Babalen e takova disa herë në Tiranë, ai shprehu disa gjëra të rënda për trafikun e drogës në Vlorë. Ai u vetëofrua për të bërë denoncimin. Ajo ishte një lloj hakmarrje dhe zemërimi i brendshëm rreth njerëzve që kishte bashkëpunuar.

Përgjimi është bërë me 24 tetor 2017, ka qenë vetëm një ditë e vetme. Janë regjistruar rreth dy orë e pak.

Kjo kohë përkoi me kohën e arrestimit të Habilajve dhe kapjes së drogës në Babicë. Ai u afrua personalisht për të më treguar se ku do blihej droga. Ishim vetëm ne të dy. Morëm ca pajisje të thjeshta përgjimi, stilolapsa.

Ndalesa e parë

Shkuam në Vlorë tek lokali i vëllait të Ministrit të Brendshëm, pasi ai mendonte se ishte i përfshirë në trafikun e drogës, por edhe njerëz të afërt gjaku të ministrave të tjerë.

Nuk isha i sigurtë që lokali ishte i vëllait të Ministrit të Brendshëm. Babalja ma tha. Unë pyeta informatorët e mi në Vlorë, që më thanë “po është lokali i tij”. Në lokal kemi pirë një kafe dhe jemi larguar. Në lokal nuk gjetëm personazhe të krimit.

Ndalesa e dytë

Shkuam në një lokal tjetër, pranë lokalit të Habilajve, ku kam folur me dikë për të trafikuar 100 kilogramë kanabis. Problemi ishte nëse kisha apo jo lekë në dorë. Nuk e dija emrin e personit se kush do ma shiste. Personi më tha se nuk është problem për 100 kilogramë. Ai siguronte që ne të shkonim në Babicë ose në një fshat tjetër përrreth Vlorës dhe më pas do më thoshte për çmimin.

Ndalesa e tretë

Shkuam në Tragjas për të njëjtën çështje që ishim nisur se ndoshta atje do të gjenim magazina. Takuam kryeplakun e Tragjasit. Ai na tha që “unë vetë nuk kam, por di dikë që ka kanabis.”

Ndalesa e katërt

U kthyem në Vlorë tek Uji i Ftohtë. Babalja pa dikë dhe tha “mbaje makinën” dhe foli me dikë që i tha:

“Nuk flas dot në telefon. Për një javë këtu më gjeni, o tek shtëpia ose këtu. Kam dyqanin tim atje poshtë.”

Përshtypja ime ishte se pazari i drogës në Vlorë bëhej rrugës. U bisedua me tre persona dhe të tre ishin të gatshëm të gjenin.

Kthim sërish tek lokali i Agron Xhafës

Babalja donte të shkonte prapë tek lokali i Agron Xhafës. Unë e prita tek lokali “Dy Palmat”. Përpara se të shkonte ta takonte, ai e telefonoi. Kur e telefonioi ishte me mua. Unë e futa numrin në TrueCaller (aplikacion në telefon për identifikimine numrave) dhe numri më doli me emrin Goni Xhafaj. Unë e dëgjoja zërin e tij. Unë nuk jam prokuror. Por numri ishte i tij.

Babalja shkoi tek lokali. Unë i thashë ti e kërkuar tre herë dhe tani do ta takosh. Kur kërkon hashash dhe ai është vëllai i ministrit të brendshëm nuk është e lehtë.

Unë qendrova tek një lokal përballë.

Ai e regjistronte bisedën me stilolaps. Qendroi brenda rreth 5 minuta. Dhe pasi doli më tha se “do shkojmë tek Ermali”. Unë u ndjeva keq dhe i thashë që do vijmë herë tjetër. Kur ai më coi në dy personazhe dhe ato e ofronin këtë shërbim mund të ngjallte dyshim. Dëshmitari fliste shumë dhe kisha frikë se mos më dekonspironte.

Unë jam kthyer në Tiranë dhe nuk e kam vazhduar. Babalja më ka telefonuar për 10 ditë rresht e më thoshte “hajde merr mallin”.

Unë nuk e vërtetova videon sepse nuk më takon mua, nuk jam prokurori. Nuk ka ndërhyrje në bisedën e regjistruar.

Pse video u dorëzua tek PD dhe jo në institucione apo në ndonjë televizion?

U largova nga emisioni ku punoja. Në një moment të caktuar, Babalja u zhduk fare. Unë se dija ku ishte. Ishte person që të dilte para në Tiranë kur ktheheshe nga puna, por në një moment u zhduk. Pas një muaj e ca mungese, unë fillova të dyshoja mos e kishin vrarë dhe mendova se është në rrezik edhe siguria ime. Dhe vendosa ta çoj tek PD.

Çfarë ka dorëzuar në prokurori?

Prokuroria më ka pyetur për intenerarin e rrugës dhe e rrëfeva njësoj si këtu. I kam vënë në dispozicion dhe kontratën e qerasë së makinës. I kam dhënë numrin e telefonin që të verifikojnë itenerarin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>