Ministri Ahmetaj premtoi, dje, ulje të tatimit mbi vlerën e shtuar për operatorët turistikë. Këtë premtim ai e bëri gjatë një takimi me sipërmarrës të sektorit të turizmit, ndërsa u ndesh me kritikat e ashpra të tyre.
Një nga shqetësimet më të mëdha të sektorit është kostoja më e lartë e shërbimeve turistike në krahasim me fqinjët për shkak të nivelit më të ulët të TVSH që këto vende aplikojnë në fushën e turizmit – 5 përqind Maqedonia dhe 7 përqind Mali i Zi.
Deklarata e Ministrit Ahmetaj duket, të paktën, e çuditshme duke qenë se ajo vjen vetëm pak ditë pas miratimit të buxhetit 2016, për hartimin e të cilit ka kontribuar vetë Ministri.
Operatorët turistikë në vend kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur prej disa vitesh uljen e TVSH-së. Kjo kërkesë ka qenë e njohur për Ministrin Ahmetaj dhe qeverinë gjatë hartimit të buxhetit dhe paketës fiskale 2016, por ajo nuk u mor asnjë herë në konsideratë.
Pse Zoti Ahmetaj dhe qeveria nuk zgjodhën ta ulnin TVSH-në e turizmit pak javë më parë, por e premtojnë menjëherë pasi miratuan buxhetin 2016 mund ta shpjegojnë vetëm ata.
Ne mund të hamendësojmë vetëm që është bërë sa për të kaluar rradhën pa patur ndërmend për ta përmbushur.