“Të pamësuar të lexojnë, të paaftë të kuptojnë dhe të padëshiruar të shohin e të flasin tjetër gjë, përveç të keqes që u dëshiron syri e u nxjerr goja, rrugëhumburit e politikës e të medias e keqpërdorën edhe këtë raport si gjithçka tjetër, për të tërhequr zvarrë publikun në llumin e fjalëve të tyre.”
Me këto fjalë Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edi Rama njoftoi daljen para mediave të zëvendësit të tij, Gent Cakaj, për të komentuar raportin e fundit të Departamentit të Shtetit mbi gjendjen e trafikut të narkotikëve dhe të krimit në Shqipëri.
Duke mos ia fshehur dot vetes faktin që jam e pamësuar për të lexuar dhe e paaftë për të kuptuar, u ula plot kureshtje të dëgjoja Zëvendësin, që Kryeministri na ka thënë se ka lexuar shumë libra.
Që në fillim, Zëvendësi premtoi se do të komentonte “fare qartë dhe pa komplekse” e “do të ballafaqohej me raportin ashtu siç është”, duke “u kursyer nga frazeologjia diplomatike”.
E kështu, ai e nisi duke lexuar paragrafin e parë të raportit:
“Shqipëria është vend prodhimi dhe trafikimi i kanabisit dhe, në mënyrë të rritur, vend tranziti për trafikun e kokainës dhe heroinës, të udhëhequra kryesisht nga elementet e krimit të organizuar, që bëjnë lëvizjen e drogës nga vendet e origjinës drejt tregjeve europiane. Sasia e drogës së kapur dhe numri i arrestimeve gjatë vitit 2018 ka qenë domethënëse, e nxitur kryesisht nga bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, trysnia e rritur ndërkombëtare dhe përpjekjet e Shqipërisë për t’u futur në BE.“
Pohimi m’u duk fare i qartë dhe i kuptueshëm: Shqipëria prodhon e trafikon kanabis, është tranzit për kokainën e heroinën, që grupet kriminale shqiptare e trafikojnë nga vendet ku prodhohet në BE; dhe ka bërë arrestime dhe ka kapur sasi droge të konsiderueshme, por ngaqë ja kanë kërkuar partnerët e huaj e nën presionin e tyre apo nën presionin për të plotësuar kushtet për anëtarësim në BE.
Por Zëvendësi më qortoi menjëherë që paneva se e kuptova kaq shpejt:
“Sfida kryesore pas leximit të këtij paragrafi është kursimi prej gjykimit të menjëheshëm për kapitullimin historik të Shqipërisë para aktiviteteve të jashtëligjshme dhe, në fakt, kultivimi i të kuptuarit pëmbajtësor të lëvizjeve pozitive të Shqipërisë për të vendosur shtetin e së drejtës.”
Si të ishte në mendjen time, Zëvendësi e kuptoi se isha nxituar në gjykim të menjëhershëm. Ndaj ai vendosi të sqaronte vetë se çfarë mund të kuptohej nga raporti po të mendoje gjatë:
“Në rregull, është thënë fare qartë, me shkronja të zeza mbi fletën e bardhë, që Shqipëria është vend origjine kanabisi, dhe kjo nuk është një fshehtësi kozmike, ashtu sikur është një fakt i pamohueshëm që nga Raporti i Progresit deri tek raporti i Departamentit të Shtetit është dëshmitare e proceseve pozitive të minimizimit të këtij fenomeni.
…Ekziston një indikacion i qartë se institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë janë të angazhuara kundër qarkullimit të narkotikëve dhe, si rrjedhojë, këtu s’kemi të bëjmë me një dorëzim institucional para aktiviteteve të jashtëligjshme, por, në fakt, me dy ndërmarrje reciprokisht përjashtuese: institucionet e Shqipërisë kundër ndërmarrjeve të involvuara në aktivitete të jashtëligjshme.”
Raporti i progresit? Fakt i pamohueshëm? Procese pozitive? Minimizim të fenomenit? Ndërmarrje reciprokisht përjashtuese?
Ku? Si?
Zëri i Zëvendësit nuk më la kohë për t’u humbur në pyetjet e mësipërme:
“Mbase unë e kuptoj krejtësisht se për të pranishmit në këtë sallë kjo mund të duket një relativizim i përgjegjësisë së qeverisë dhe veçanërisht nën dritën e faktit se raporti qysh në fjalinë e parë konstaton se Shqipëria në mënyrë të rritur është një vend tranzit për kokainën dhe heroinën në tregjet europiane.
Dhe me këtë fakt duhet të ballafaqohemi drejtpërdrejt, por edhe përgjigjia, sa gadishmëria jonë për t’u ballafaqur drejtpërdrejt, duket aq e qartë, është fare e thjeshtë […]”
Befas u ndjeva e lehtësuar që Zëvendësi i quajti normale dyshimet e mia, dhe i ngula sytë tek ai që vazhdoi të sqaronte me sinqeritet:
“Numri i konfiskimeve të drogave në kufi, dhe këtë e konfirmon edhe i njëjti raport më poshtë, ka rritur përshtypjen e shkallës së qarkullimit të drogës për shkak se është forcuar bashkëpunimi ndërkufitar dhe janë forcuar kufizimet për qarkullim ndërkufitar të drogave, që do të thotë nuk kemi të bëjmë thjesht me një shtim të sasisë së qarkullimit të narkotikëve në treg, por, në fakt, me shtim të evidencave, që është e barazvlefshme me shtimin e luftës kundër këtij fenomeni për qarkullimin e narkotikëve në treg.”
Bingo! Më në fund çdo gjë u bë e qartë: është rritur sasia e kapur e drogës, ngaqë qeveria e ka luftuar drogën, dhe kjo gjë bën të duket sikur është rritur trafiku i drogës, kur, në fakt, është rritur vetëm lufta kundër drogës.
Në fakt kur e mendon si duhet është fare elementare: sa më shumë drogë të kapet, aq më pak drogë ka në të vërtetë!
Zëvendësi vazhdoi ta shtjellojë edhe më tej:
“Në mënyrë eksplicite, do të thotë, vetë raporti konstaton se kemi një rritje të sigurisë ndërkufitare dhe një mobilizim të shtuar e performancë efektive, kur është në pyetje kapja e sasive të narkotikëve, të cilat qarkullojnë nëpërmjet grupeve të organizuara ndërkombëtarisht të përfshira në këto aktivitete. Si rrjedhojë, nuk kemi të bëjmë me një shtrirje madhore e diversifikim enorm të drogave që shkojnë nga Shqipëria për në Evropë. Përkundrazi, raporti thekson se ka pasur rritje të konfiskimve të kokainës dhe zbulim, pra, kjo është pjesë integrale e luftimit të këtij fenomeni, të laboratorëve përpunuese të kokainës dhe heroinës në Shqipërinë veriore dhe qendrore.”
Ky sqarim sikur ma prishi pak kthejlltësinë e një çasti më parë. Por Zëvendësi nuk më la kohë për përhumbje, pasi vazhdoi të shpjegojë:
“Institucionet shqiptare janë të përgatitura në mënyrë të moderuar për të luftuar aktivitetin kriminal të drogës, por korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes kufizon efektivitetin e tyre të përgjithshëm. Korrupsioni i zyrtarëve është i shtrirë kudo dhe ushqen një mjedis në të cilin trafikuesit e drogës janë në gjendje të veprojnë në një masë të madhe pa u ndëshkuar.”
Duhet kurajë dhe përunjësi e madhe të lexosh me zë të lartë publikisht se qeveria, ku ti bën pjesë, është aq e korruptuar, sa kriminelët mund të trafikojnë drogë pa i gjetur gjë. Ndaj e admirova Zëvendësin që lexoi pa asnjë emocion akuzat e raportit për korrupsion.
Por ai vendosi t’i shkojë deri në fund të vërtetës:
“Se që korrupsioni është ekzistent në Shqipëri, kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe i takon kësaj qeverie ta mban pjesën e saj të përgjegjësisë. Normalizimi i korrupsionit e relativizimi i veprimeve të tilla është diçka që, edhe nëse qeveria synon ta bëjë, shoqëria shqiptare nuk duhet assesi ta tolerojë.”
U turbullova, sërish. M’u duk sikur Zëvendësi tha se ne, qeveria, do vjedhim, por ju nuk duhet të na toleroni.
Por ai vazhdoi:
“Por, po ashtu, kjo nuk do të thotë se në mënyrë të verbër duhet të dorëzohemi para akuzave të pabaza dhe të gjykimeve të cilat nuk janë të mbështetura në vlerësim kritik dhe rrethanor.”
Tani Zëvendësi ishte prapë i qartë: korrupsioni nuk duhet toleruar, por ama vetëm nëse ka korrupsion, se në fakt nuk ka. Për të na bindur deri në fund, ai vazhdoi:
“Po të lexohet i njëjti raport për vendet e rajonit, shqetësimet janë më të thella se sa për Shqipërinë.”
Pra, edhe sikur të mendojmë se po na vjedhin qeveritarët tanë, ne nuk duhet të mërzitemi, sepse qeveritarët e Malit të Zi i vjedhin më shumë malazezët.
Por Zëvendësi nuk tha se ku në raport thuhet se pushtetarët e tjerë ballkanas vjedhin më shumë se tanët. Ndoshta nuk e thotë fare, se befas Zëvendësi shkoi diku tjetër:
“Dhe këtu nuk po i referohem vetëm raportit për Strategjinë e Kontrollit të Narkotikëve, por, mbase, në fakt, edhe raporteve të cilat lidhen me praktikat e të drejtave të njeriut në vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Por, për të shkuar një hap më tutje, një gjuhë pothuajse e ngjajshme në raportet për të drejtat themelore të Departamentit të Shtetit karakterizon edhe vende të cilat janë anëtare të Bashkimit Europian, me theks të veçantë që kanë kaluar tranzicionin e Evropës Qendrore.”
Mbase, në fakt, edhe…?
Pasi braktisi raportin që po na shpjegonte duke u hedhur në raporte të tjera, Zëvendësi i dha të gjithës një prekje filozofike:
“Kjo nuk do të thotë se ne nuk po gjejmë alibi për situatën aktuale në Shqipëri. Kjo do të thotë se trashëgimitë historike janë esenciale për ta kuptuar fenomenin. Objektivisht, të gjithë do kishim dashur të jetojmë me një Shqipëri tjetër, por Shqipëria ndryshe nuk bëhet brenda ditës dhe i karakterizon sfidat e veta. Shembujt e rajonit të Ballkanit Perëndimor, të vendeve që aktualisht janë në negocim, të kritikohen me tone edhe më të ashpra se sa kaq, jo thjesht për shkak të sfidave në instalimin e shtetit të së drejtës, por edhe për shkak të mosaftësisë së tyre, ose mosgadishmërisë së tyre për të adresuar trashëgiminë e luftrave të së kaluarës, është dëshmi që limitet strukturore dhe tranzicionet komplekse i prodhojnë edhe efektet e tyre në kapacitetet e institucioneve për të adresuar çështje tjera.”
Pas këtyre fjalëve unë u qartësova sërish: fakti që vende të tjera, madje që negociojnë për anëtare në BE, që nuk kanë reflektuar për të shkuarën e tyre është shkaku që eshtë korruptuar qeveria e Edi Ramës.
Kjo më bindi se raporti paskësh qenë vërtet i thellë dhe unë vërtet e pamësuar dhe e paaftë për ta kuptuar vetë!
Zëdhënësi, ndërkohë, vazhdoi të fliste pa pushim, duke sqaruar, e sqaruar “fare hapur dhe pa komplekse”:
“Raporti thekson se ky nuk është një problem që ka ardhur me qeverinë, por në fakt qeveria i ka limitet e veta për të adresuar një fenomen që në Shqipëri ekziston për dekada, dhe i takon qeverisë që ta lexon në mënyrë realiste këtë raport dhe ta thellon tutje përpjekjen e saj për ta çrrënjosur këtë fenomen në mënyrë tërësore.”
Dalngadalë e folura e Zëdhënësit nisi të më tingëllojë prej Shvejku, por “në fakt ky nuk është një term i duhur sepse [Shvejku] është një figurë romantike dhe shumë komplekse e letërsisë shqiptare…”
Kështu, e gjithë situata fitoi dramaticitetin shvejkian: Mirë që u çmendën të gjithë, po pse u çmendën njëkohësisht!