Gërdeci i Kushtetutës dhe sistemit tonë politik

Nga Karl Kuçi
Gërdeci i Kushtetutës dhe sistemit tonë politik

Para pak ditësh u përkujtua tragjedia e Gërdecit, një ngjarje që traumatizoi të gjithë shoqërinë politike shqiptare, e cila për një moment kuptoi papërgjegjshmërinë e saj. Por vetëm për një moment. Më pas spekullimet politike dhe babëzia për para dhe pushtet ngritën krye sërish.

Gjatë orëve të para pas shpërthimit, në Tiranë mbërrinin kamionë të mbushur me të plagosur dhe njerëzit i shihnin të frikësuar tek kalonin rrugës, pothuajse pa fjalë. Në orët e ditët që vijuan nisën lajmet e para që shpjegonin çfarë kishte ndodhur në Gërdec dhe kush ishin të përfshirë në ngjarje. Menjëherë, ranë në sy lidhja e nguhstë familjare e njërës prej vikitmave me familjen Berisha, përfshirja e udheheqësve ushtarake të vendit, shoqëria e kontraktuar për çmontimin në pronësi të disa amerikanëve aventurierë, partneri lokal i tyre një nga klientët dhe njerëzit e afërt të kryetarit të opozitës Rama (më pas do vinte edhe vdekja e një dëshmitar kyç në një aksident të çuditshëm gjuetie). Një ndjenjë kryengritjeje ziente përbrenda çdo shqipëtari, ndërkohë që qeveria, e turpëruar, heshte.

Sikur Edi Rama të kishte qenë një burrë shteti, ai do të ishte ulur me qetësi në mes të bulevardit, përballë Kryeministrisë, me një qiri të ndezur në dorë, dhe në pak minuta e gjithë Shqipëria do ishte ulur pranë tij, ndërsa Berisha, padyshim i tronditur, do ishte larguar në qetësi e do kishte shkuar larg, shumë larg.

Por Edi Rama nuk është burrë shteti, por një tjetër demagog i fiksuar pas pushtetit, ndaj në vend të udhëhiqte popullin drejt ujrave të qeta dhe të pastra, zgjodhi të përfitonte nga dobësia e Berishës për të të përfituar pë vete në kurriz të viktimave të Gërdecint dhe një populli të

Duke shfrytëzuar pozitën e vështirë të Berishës dhe kërcënimin e 40 deputetëve të afërt me presidentin e atëhershëm Topi, Edi Rama e detyroi Berishën të bënte ndryshime radikale të Kushtetutës që i dhanë pushtet të jashtëzakonshëm kryeministrit, zvogëluan fuqinë e partive të vogla, dhe e lartësuan kryetarin e partisë në një autokrat absolut në parti. Këto ndryshime i bëri me sigurinë absolute që ndjente atëhere se për shkak të Gërdecit do ishte ai që do t’i fitonte zgjedhjet e rradhës, rreth një vit më vonë.

Marrëveshja u hartua brenda dy ditësh, në fshehtësi të plotë, pa asnjë diskutim qpftë edhe të brendshëm politik, e ndërmjetësuar nga klientët e zakonshëm të të dyja palëve—sikur të ishte marrëveshje banditësh e jo marrëveshje politike mes udhëheqësve të një vendi me demokraci qoftë edhe jo funksionale.

Reforma pas disa hezitimeve të Topit, u bë ligj dhe kushtetutë. Konsensusi, që me shumë vështirësi u arrit në ’97, u zhduk për t’i lën vënd një sistemi elektoral me kufi të lartë dhe lista të bllokuara të ngjashëm me atë italian, dhe në një sistem fuqish të pavarura lehtësisht i nënshtrueshëm nga kush kishte maxhornacën në Parlament

Në një goditje të vetme Rama bëri të paktën 4 katastrofa: bëri të mundur eliminimin politik të Topit dhe grupit të tij të moderuar; u armiqësua me Metën; (për rrjedhojë) i lejoi Berishës t’i mbijetonte dramës politike të Gërdëcit dhe hetimeve të më vonshme; dhe në fund krijoi kushtet për të ndotur përfundimisht Parlamentin.

Në fakt jo shumë e kujtojnë se Meta ishte i vetmi që kërkoi ta pengonte këtë marrëveshjen, e cila pati për qëllim ta nxirrte atë me ligj elektoral jashtë loje. Meta vendosi të rezistojë, dhe pas një numërimi votash shumë konfuz dhe të trazuar arriti të hyjë në Kuvend, së bashku me tre deputet të tjerë. Pas këtij triumfi, ai konsumoi hakmarrjen e parë politike duke bërë aleancë me Berishën, duke e lënë Ramën edhe për 4 vjet të tjera ne opozitë.

Sot Rama paguan akoma pasojat e tentativës së tij të falimentuar për “vrasje politike” dhe i mbijetuari Meta “me qetësi dhe dashuri” e mban akoma në fije të perit duke e konsumuar pak e nga pak çdo ditë.

Ne të tjerët, që nga ajo kohë diskutuar se si mund të zvogëlojmë dëmin e madh që sollën këto ndryshime, veçanërisht sistemin elektoral me lista të mbullura që ndër të tjera solli kriminelë në parlament; kthimin e Presidentit nga një kundërpeshë balancuese e rëndësishme politike, në një kukull pa asnjë ndikim; shndërrimin e parlamentit në një asamble të një shoqërie aksionere; kthimin e partive në kryetarokraci; dhe, jo më pak e rëndësishmja, rivalitetin dhe zënkat destabilizuese Rama-Meta.

Për këtë arsye përvjetori i Gërdecit duhet të bëj të reflektojnë politikanët: një shkëndijë mund të shkaktojë një shpërthim tragjik, por etja e verbër për pushtet mund të rrënojë një sistem të tërë politik.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>