Në Krishtlindje ne jemi të gjithë të mirë, të paktën për një ditë, ndaj po përpiqemi të jemi të mirë edhe ne.
Për Krishtlindje do të jetë i mirë edhe Edi Rama, i cili sot do mblidhet me familjen, në vend që të mblidhet me biznesmenë e t’i japë atyre koncesione.
Për Krishtlindje do të jetë i mirë edhe Ilir Meta, që sot do të marrë pushim, në vend që të marrë pushtet.
Për Krishtlindje do të jetë i mirë edhe Sali Berisha, që sot do të fikë Qytetarin Dixhital, në vend që të fikë shpresat tona.
Në Krishtlindje do të jetë i mirë edhe Lulzim Basha, që sot do të rrijë i heshtur, në vend që të ulërasë pa thënë asgjë.
Për Krishtlindje do të jetë i mirë edhe Erjon Veliaj, që do të jetë i gëzuar sepse nuk ka rënë dëborë e ai mund të rrijë në shtëpi në vend që të pastrojë rrugët me dëborëpastruese, një shërbim më pak për të për të dhënë me PPP.
Për Krishtlindje do të jemi të qetë, për të pushuar në familje, për t’u ndjerë të mirë, të paktën këtë herë.
Festë kristiane, festë fetare, festë për njerëzit e besimit, festë për ata që kanë ndërgjegje, për ata që falin.
Për të gjithë të tjerët është mrekulli ushqimore, siç është i gjithë viti për ata që dinë të vjedhin.
Gëzuar Krishtlindjen për ata që besojnë, Gëzuar Festat për ata që nuk besojnë!
Shihemi nesër, më të zemëruar se kurrë!