Numri i të prekurve nga koronavirusi në botë u dyfishua, gjatë javës që po mbyllet, duke arritur në 312 mijë persona, pasditen e të dielës, sipas të dhënave të Universitetit Xhon Hopkins.
Numri i vdekjeve në mbarë botën, të dielën në orën 13:00, arriti në 13 407.
Italia me 4 825 të vdekur, gati një e treta e gjithë vdekjeve në botë, dhe Kina me 3 144 viktima janë dy vendet më të goditura. Kina dhe Italia kanë gjithashtu numrin më të madh të të infektuarëve me 81 384 dhe 53 278 raste, respektivisht.
Ndërkohë, gjendja po përkeqësohet çdo çast në Spanjë ku numri i viktimave ka arritur në 1 720 dhe në Iran ku ka 1 566 të vdekur, duke ngjallur frikën se edhe në Spanjë dhe Iran mund të zhvillohet e njejta dinamikë si në Itali.
Gjendja po përkeqësohet edhe në Francë dhe në SHBA, ku numri i të prekurve dhe viktimave po rritet me ritme të shpejta.
Deri të dielën mbasdite, pas Kinës dhe Italisë, Spanja ka numrin më të madh të të infektuarëve me 28 572, pasuar nga SHBA-të me 27 747, Gjermani me 23 129 dhe Franca me 14 485 persona të infektuar.
Deri më tani, janë shëruar 93 790 persona, nga të cilët 59 4333 persona në Kinë.
Koronavirusi ka prekur deri tani 169 vende në botë, duke qenë një nga pandemitë më të shtrira të regjistruara në historinë e njerëzimit.