Pas Koresë së Jugut dhe Japonisë, Italia është vendi më i prekur jashtë Kinës. Deri të dielën në mbrëmje në Itali ishin identifikuar 152 persona të sëmurë me koronavirus, nga të ciëlt 17 persona janë në terapi intensive.
Tre persona kanë vdekur, deri më tani, një në Veneto dhe dy në Lombardi—një burrë 78 vjeçar, një grua 75 vjeçare dhe një tjetër 70 vjeçare, por që vuante nga kanceri terminal.
Infeksioni është shtrirë kryesisht në rajonin e Lombardisë, veçanërisht në zonën rreth Milanos, ku ndodhen 110 persona të sëmurë, në rajonin e Venetos me 21 raste dhe në Emilia Romagna me 9 raste. Dy ditët e fundit raste të shkëputra janë identifikuar edhe në Lazio dhe Piemonto.
Pritet që rasti i të infektuarve të rritet në ditët e ardhshme, veçanërisht duke patur parasysh se nga infektimi deri në simptomat e dukshme kalojnë rreth 5-10 ditë.
Situata në Itali po quhet para-epidemike. Organizata Botërore e Shëndetit ka nisur një ekip ndihme në Itali me qëllim dallimin e nivelit të shpërndarjes së virusit dhe ndalimin e tij.
Qeveria italiane ka miratuar një sërë masash të forta për ndalimin e shpërhapjes së virusit.
Janë ndaluar largimi ose hyrja në zonat e konsideruara si “vatra” të virusit, të cilat do të ruhen me polici, dhe në rast se nevojiten me ushtarë, me sanksione penale për ata që thyejnë urdhërin.
Të gjithë personat në kontakt me personat e sëmurë po mbahen në karantinë dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm. Në këto vatra janë të izoluar rreth 50 mijë qytetarë.
Nga të gjitha rajonet e prekura janë ndaluar manifestimet publike dhe eskursionet shkollore.
Janë pezulluar tre ndeshje të kësaj fundjave, Inter-Sampdoria në Milano (Lombardi), Atalanta-Sassuolo në Bergamo (Lombardi) dhe Verona-Cagliari në Verona (Veneto).
Në Milano janë mbyllur të gjitha shkollat, përfshi universitet; janë ndaluar të gjitha aktivitet publike, përfshi shfaqjet në teatrin e operës La Scala; është mbyllur Sheshi Duomo, sheshi kryesor i Milanos dhe vend i rëndësishëm turistik.
Kulla e famshme “Citylife” në Milano, qendër e madhe zyrash dhe biznesi, do t’i nënshtrohet, nga dita e hënë, të njejtit regjim si në aeroporte, duke instaluar skanera termikë që do të kontrollojnë temperaturën e kujtdo që do të hyjë në ndërtesë.
Është pezullur Java e famshme e Modës në Milano, që po zhvillohej nga data 18 shkurt deri në 24, pasi dy ditët e fundit u tërhoqën shumë stilistë. Stilisti Giorgio Armani i planifikuar për të hënën vendosi ta zhvillojë sfilatën, pa të ftuar, duke e regjistruar për të transmetuar në faqen e tij në rrjet.
Mido, manifestimi më i rëndësishmë për syzet në nivel botëror i programuar për 29 shkurt deri më 2 mars në Milano, ka vendosur të shtyjë hapjen për në fund të majit dhe në fillim të qershorit.
Ndërkohë në Venezia janë pezulluar ditët e fundit të javë së Karnavales së famshme të Venecias.