Gjenerali amerikan Michael Barbero mendon se Shqipëria duhet të jetë e vëmendshme pasi aktualisht çdo shtet mik i Amerikës mund të konsiderohet vend armik nga Irani.
I ftuar në një takim në Tiranë për sfidat e sigurisë dhe luftën ndaj terrorizmit, Zoti Barbero, që ka drejtuar disa misione trajnimi të NATO-s në Irak, tha se Shqipëria duhet të bëjë veçanërisht kujdes nga sulmet kibernetike:
“Fatkeqësisht çdo mik i SHBA-ve apo aleati ynë mund të shikohet si një shënjestër [nga Irani]. Për këtë vigjilenca është mjaft e rëndësishme, veçanërisht në fushën kibernetike, pasi Irani ka disa aftësi mjaft të sofistikuara për sulmet kibernetike. Për këtë arsye Shqipëria duhet të tregohet mjaft vigjelinetë në përpjekjet kundër terrorizmit dhe kundër sulmeve kibernetike.”
Pyetur nëse vendimi i Shqipërisë për të strehuar muxhahedinët rrit mundësinë e ndonjë sulmi nga Irani, Michael Barbero tha:
“Nuk mendoj se MEK përbën kërcënim, por Irani po. Muxhahedinët kanë luftuar për demokraci në vend çka përbën një kërcënim për regjimin. Qëllimi kryesor i udhëheqësve në Teheran është mbijetesa e regjimit dhe MEK janë kërcënim për të. Unë e admiroj atë që Shqipëria ka bërë për muxhahedinët duke i sjellë këtu dhe duke vazhduar tu ofrojë mbrojtje.”
Gjenerali tha se vrasja e gjeneralit Iranian Qasem Soleimani ishte një arritje e rëndësishme në luftën kundër terrorizmit:
“Sulmi për të vrarë Qasem Soleimanin ishte mjaft i rëndësishëm, më i rëndësishëm se vrasja e Osama bin Laden-it apo Abu bakr al-Baghdadit. Ai ishte arkitekti i çfarëdolloj paqëndrueshmërie [në rajon]. 700 ushtarë amerikanë kanë vdekur nga këto armë që janë rezultat i drejtimit të Qasem Soleimanit. Vrasja e tij ishte tërësisht e justifikuar dhe ne do t’i përballojmë vetë pasojat.”
Duke folur për mundësitë e një kundërpërgjigjeje të Iranit ndaj shteteve anëtare të NATO-s, gjenerali tha se me shumë gjasa, NATO do të ndërhyjë në mbrojtje të vendeve anëtare.