Qeveritë e Gjermanisë, Italisë dhe Francës kërkuan nga BE të rishikojë lëvizjen pa viza të disa shteteve, përfshi Shqipërinë, për shkak të abuzimeve nga shtetasit e këtyre vendeve.
Një dokument i hartuar nga institucionet e Unionit, që mban datën 27 shtator dhe i siguruar nga EUobserver, tregon shqetësimet në rritje në lidhje me qëndrimet e paligjshme dhe kërkesat e pabaza për azil nga qytetarët e këtyre vendeve.
Sipas dokumentit, Gjermania e sheh Shqipërinë si një nga vendet më problematike lidhur me abuzimin e marrëveshjes për heqjen e regjimit të vizave.
Franca po ashtu shprehet e shqetësuar nga shqiptarët që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme pasi hyjnë në vend pas viza dhe më pas kërkojnë azil të pa arsyetuar.
Italia dhe Belgjika janë në mesin e vendeve që kërkojnë rishikim të regjimit të vizave.
Përveç Shqipërisë, vende të tjera të cilësuara problematike janë Serbia, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina.
Në gusht, raporti i katërt i Komisionit të BE-së mbi monitorimin e regjimit pa viza të Ballkanit Perëndimor arriti në përfundimin se vendet kishin shënuar përparim në adresimin e rekomandimeve të vitit të kaluar por megjithatë, vuri në dukje se këto vende duhet “të rrisin përpjekjet e tyre në menaxhimin e migrimit dhe azilit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Të dhënat nga Zyra Evropiane për Mbështetjen e Azilit (EASO) tregojnë se në korrik, shqiptarët paraqitën 980 kërkesa për azil, një rritje prej 56 përqind nga qershor dhe numri më i lartë mes vendeve të rajonit.
Në 2019 Holanda kërkoi rikthimin e regjimit të lëvizjes me viza për Shqipërinë por Komisioni Europian hodhi poshtë kërkesën.
Vendeve të treta, të cilat janë pjesë e marrëveshjes së lëvizjes së lirë me BE-në, mund t’i rivendosen vizat për të hyrë në BE:
– Kur ka rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve të një shteti të cilëve u refuzohet hyrja ose qëndrojnë kundër rregullave në territorin e BE-së;
– Kur ka rritje në aplikimet e pabaza për azil;
– Kur ka rënie të bashkëpunimit në lidhje me pranimin e migrantëve të kthyer mbrapsht;
– Kur ka rritje të rreziqeve apo të kërcënimeve të dukshme për politikat publike apo për sigurinë e brendshme, që vijnë nga qytetarët e një vendi joanëtar i BE-së.
Për më shumë informacion mbi procedurën dhe kushtetpër rikthimin e vizave kliko këtu.