Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë futur në listën e shteteve me rrezik të lartë për përhapjen e koronavirusit sipas Institutit Gjerman Robert Koch.
Duke nisur nga data 22 gusht personat që udhëtojnë nga këto shtete drejt Gjermanisë duhet të regjistrohen në portalin www.einreiseanmeldung.de para se të nisen dhe ta kenë me vete vërtetimin e regjistrimit.
Nëse nuk janë të vaksinuar ose të shëruar nga COVID-19, duhet të paraqesin një test negativ. Në Gjermani duhet të kalojnë 10 ditë në karantinë. Periudha e karantinës shkurtohet në 5 ditë për fëmijët nën moshën 12 vjeç dhe për të rriturit, të cilët pas pesë ditësh dalin negativë në një test COVID.
Nga rregullat e mësipërme përjashtohen personat që kanë qenë tranzit në Kosovë ose Maqedoni të Veriut para se të shkojnë drejt Gjermanisë dhe ata që janë tranzit në Gjermani për të udhëtuar diku tjetër.
Javët e fundit Kosova ka përjetuar rritje të lartë të infektimeve me COVID-19 për shkak të variantit Delta. Në vend numërohen rreth 16 mijë raste aktive.