Pas një viti gare të “hapur” dhe pas 3 vjetësh pa drejtues, Radio Televizioni Shqiptar ka, më në fund, një drejtor. Ai është Thoma Gëllçi. Zgjedhja e tij erdhi mes kundërshtive në të gjitha nivelet. Në sy ranë veçanërisht shpërthimet e i ish-kolegëve dhe ish-vartësve të Zotit Gëllçi, sikurse edhe rezervat e gazetarëve të cilët kanë bashkëpunuar me të gjatë kohës kur ai ka punuar si këshilltar për mediat, pranë ish-kryeministrave Fino, Nano dhe Meta.
Pikëpyetjet që ngrihen mbi personin i cili do të menaxhojë median me mbulimin më të madh gjeografik në vend, e cila financohet nga taksat e qytetarëve, janë të shumta.
Buxheti i RTSH-së është 10 milionë euro në vit, ndërsa fondet shtesë për projektet e ndërtimit të platformës dixhitale do t’i shtojnë këtij buxheti edhe dhjetra miliona euro të tjera. Nisur nga kjo, zgjedhja e Zotit Gëllçi është të paktën e dyshimtë duke qenë se ai është hetuar për abuzim me detyrën dhe korrupsion në vitin 2004, hetime të cilat u zvarritën dhe pastaj u harruan.
Mbi Zotin Gëllçi rëndojnë, gjithashtu, një sërë akuzash të tjera, përfshi atë si ideatorin e “blerjes” së mediave me anë të një vendimi të qeverisë Meta përmes të cilit mediat të caktuara përfituan direkt fonde nga buxheti i qeverisë. Në mënyrë më të përgjithshme, ai konsiderohet si një ndër pionierët e krijimit të një sistemi preferencial marrëdhëniesh mes qeverisë dhe mediave.
Edhe vetë proçesi i zgjedhje së Zotit Gëllçi, me 7 vota pro dhe 4 kundër, nuk kaloi pa debat. Pas votimit, kandidati tjetër, Zoti Petrit Malaj, u shpreh hapur se gara nuk kishte qenë fort e ndershme dhe ai akuzoi kryetarin e Komisionit të Mediave, ish-gazetarin Alfred Peza, për shitje të votës. Madje akuza shkonte edhe më larg, duke e bërë përgjegjës deputetin Peza për shitje të organizuar të votës.
Të gjithë shikuesit e dinë se ekrani i TVSH-së nuk është asnjëherë zgjedhje për t’u ndjekur. Nisur nga platforma që Zotit Gëllçi paraqiti për kandidimin e tij është e dyshimtë nëse nën drejtimin e tij kjo gjë do të ndryshojë. Megjithatë, kjo gjë i mbetet kohës ta vërtetojë.
Gjithsesi, nga të gjithë konkurrentët që morën pjesë në garë dhe nga mënyrat që ata zgjodhën për të sjellë para publikut arritjet e tyre, Zoti Gëllçi u dallua pasi platformën e tij ai e përgatiti në formë broshure dhe e publikoi atë në rrjet në një hapësirë të posaçme në faqen e tij online.
Ndërkohë, konkurentët e tjerë, nxorrën në pah një cilësi tjetër të Zotit Gëllçi—miqësitë e tij të forta me njerëz të afërt të Kryeministrit.
Të gjitha dyshimet e ngritura të hapin derën të mendosh se Thoma Gëllçi u kthye nga Amerika me premtimin se do të bëhej drejtor i Radio-Televizionit Publik Shqiptar.
Përtej ankesave dhe kundërshtive, tashmë Thoma Gëllçi është zyrtarisht drejtori i RTSH-së (me këtë rast shpresojmë që të publikohet edhe një jetëshkrim i plotë për të, që nuk u bë gjatë garës). Shumë shpejt, të gjitha hamëndësimet tona do të vihen shpejt në provë.
Pavarësisht mospëlqimit tonë të zakonshëm për programet e TVSH-së, ne paguajmë taksa për të—dhe jo pak për një televizion që nuk e shohim kurrë, 1 200 lekë në vit.