
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit (GJKKO) ka shpallur fajtore për abuzim me detyrën ish-kryetaren e bashkisë Gjirokastër Zamira Rami të mërkurën.
Ajo u dënua me 1 vit burg, por për shkak të kërkesës për gjykim të shkurtuar dënimi reduktohet në 8 muaj burg, që më pas janë konvertuar në punë në shërbim të komunitetit.
Zamira Rami u akuzua në dhjetor 2020 nga SPAK se ka shkelur ligjin duke prishur dy prona të ligjshme të dy shtetasve, duke u sjellë atyre një dëm prej rreth 5 milionë e 600 mijë lekësh.
Prokuroria e Posaçme mori nën hetim ish-kryebashkiaken e Gjirokastrës në janar të këtij viti, pasi dy qytetarët që iu ishin prishur objektet kishin bërë kallëzim për shpërdorim detyre në prokurorinë e rrethit.
Zamira Rami e ka drejtuar Bashkinë Gjirokastër, si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim në vitet 2015-2019.