Në emisionin “Kjo Javë” në News24, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj foli për çështjen e lirimit të Endrit Dokles. Zonja Gjonaj tha se ministria e Drejtësise ka nisur hetim administrativ ndaj gjyqtares. “Kemi pasur edhe më parë të dhëna nga drejtoria e burgjeve se Dokle mund të lirohej”, shtoi ministrja.
Ministrja Gjonaj tha se i ka dërguar letër KLP-së, ONM-së dhe KLGJ-së për pezullimin e gjyqtares dhe përfshirjen e saj me prioritet në procesin e vetingut. Gjithashtu, ministrja Gjonaj tha se këto vendime nuk mund t’i parandalojë ministria e Drejtësisë. Por, qeveria po përgatit një paketë ligjore për t’i parandaluar këto raste, duke iu referuar kështu paketës ligjore “Anti—KÇK”:
“Këto janë vendimmarrje në kundërshtim me ligjin, me kodin penal. Sa i përket masave të reja që duhen marrë është pikërisht një paketë me ndryshime ligjore që qeveria ka përgatitur e ka dorëzuar në parlament me qëllim që të përfshihen disa mekanizma për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë të mund të pezullohen me vendim të inspektorit të lartë të drejtësisë dhe me vendimmarrje të këshillave. Besoj se do miratohen shpejt nga parlamenti këto masa dhe do jenë ndihmë për institucionet e drejtësisë që raste të tilla të parandalohen”, theksoi ministrja Gjonaj.