Gjykata Administrative e Tiranës do të vendosë sot lidhur me anulimin ose jo të kontratës koncesionare për ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin e Valbonës.
Një grup banorësh nga zona ku po ndërtohen hidrocentrale dhe shoqata “Toka” kanë paditur Ministrinë e Energjisë, Ministrinë e Turizmit, Këshillin Kombëtar të Territorit, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit. Banorët shprehen se këto institucione nuk ka marrë masat e nevojshme për të zbatuar vendimin e gjykatës administrative, të marrë në qershor 2017, që ndalon kompaninë “Gener 2” nga vazhdimi i punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve.
Qytetarët, po ashtu, i kanë kërkuar gjykatës të shpallë pavlefshëmrinë absolute të kontratës koncesionare mes kompannisë “Gener 2” dhe Ministrisë së Energjisë, nënshkruar në vitin 2009.
Ndërtimi i hidrocentraleve në Valbonë është kundërshtuar vazhdimisht, herë me protesta e herë me koncerte, nga banorët e zonës dhe nga aktivistë të mjedisit.
Banorët shprehen se ndërtimi i qoftë edhe një HEC-i të vetëm, do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme Luginën e Valbonës dhe turizmin në këtë zonë. Ata u shprehën se qeveria po qeveris me arrogancë, pa u interesuar për qytetarët, mjedisin apo turizmin e po jep me konçesion çdo lumë e luginë për të ndërtuar hidrocentrale.
Lugina e Valbonës me një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh është shpallur Park Kombëtar që në vitin 1996 dhe çdo vit vizitohet nga qindra turistë. E gjithë krahina ka investuar në aktivitete lidhur me turizmin, prej të cilit sigurojnë të ardhurat për të jetuar.
Por pak kohë më parë, qeveria dha me konçesion ndërtimin e 11 hidrocentraleve në rrjedhën e lumit, ç’ka do të thotë betonizim e shkatërrim të florës e faunës së zonës dhe shkatërrimin e një prej pikave turistike më të vizituara nga turistë vendas e të huaj.