Një panel i apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë hodhi poshtë ankesat e disa personave që pretendojnë se kanë qenë viktima të krimeve të luftës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Vendimi i apelit i datës 16 korrik la në fuqi një vendim të mëparshëm të datës 21 prill nga gjyqtari paraprak, i cili kishte hedhur poshtë aplikimet e disa personave për të marrë pjesë si viktima në gjyqin kundër ish-udhëheqësve të UçK-së gjatë luftës mes Kosovës dhe Serbisë.
Aplikantët pretendonin se mbi ta ishin kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe gjyqtari paraprak kishte marrë vendim të gabuar duke mos u njohur atyre të drejtën për të marrë pjesë në gjyq. Gjykata e apelit vendosi se argumentet e tyre nuk i mbështesnin pretendimet e tyre.
Gjykata tha se ankuesit nuk kishin dhënë argumente të bazuara në juridiksionin e kësaj gjykate se në cilën kohë, në cilin vend dhe çfarë krimesh ishin kryer kundër tyre nga udhëheqësit e UÇK-së. Lidhja mes vuajtjeve të viktimave dhe krimit të pretenduar nuk mund të vendosej, sipas gjykatës, prandaj edhe ata nuk do të marrin pjesë në gjyqin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Të katër ish-udhëheqësit ushtarakë u bënë politikanë pas luftës. Ata u arrestuan në vitin 2020 dhe u transferuan në burgun e gjykatës në Hagë, ku po përballen me akuza për krime kundër njereëzimit dhe krime lufte gjatë luftës kundër Serbisë mes viteve 1998-1999.