Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK për pushimin e çështjes së tre gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli, të cilët pranuan gjykim të shkurtuar për Dritan Dajtin.
Tre gjyqtarët ndryshuan vendimin për Dritan Dajtin nga 4 burgime të përjetshëm në 25 vite burg për vrasjes e 4 policëve në Durrës në vitin 2009.
Gjyqtarja Miljana Muça i kërkoi SPAK të rihetojë tre gjyqtarët të akuzuar për shpërdorim detyre.
Paraditen e sotme, SPAK dërgoi në gjykatë kërkesën për të pushuar çështjen kundër tre gjyqtarëve me argumentimin se akuzat për korrupsion ndaj tre gjyqtarëve nuk u provuan, ndaj nuk ka vepër penale.
Në shkurt 2019, trupa prej pesë gjyqtarësh e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda pranoi më shumicë votash kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar dhe ia uli atij dënimin nga 4 burgime të përjetshëm në 25 vite burg.
Pak ditë pas vendimit, policia ushtroi kontroll në banesat e tre gjyqtarëve të çështjes Dajti. Sipas policisë, kontrolli erdhi si pasojë e informacioneve se gjyqtarët kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë dhënë një vendim në kundërshtim me ligjin. Në banesën e gjyqtarit Skënder Damini policia gjeti armë, municione dhe 20 mijë euro.