Trupa e Gjykatës së Apelit e çështjes së lobimit të Partisë Demokratike ka vendosur të shtyjë seancën, pasi ka nevojë për më tepër kohë që të shqyrtojë dosjen.
Vendimi u mor sot më 30 prill dhe seanca e radhës do të zhvillohet më 14 maj.
Trupa e re gjykuese përbëhet nga Shpresa Becaj, Alaudim Malaj dhe Shkëlqim Mustafa, pas dorëheqjes nga çështja të gjyqtares Fatmira Hajdari.
Në seancë morën pjesë ish- deputeti Arben Ristani dhe avokatët mbrojtës të Lulzim Bashës dhe financierit të PD-së Ilir Dervishi.
Në qershor 2019, prokuroria ngriti akuzat “falsifikim të formularëve” dhe “kryerjen e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi” ndaj Bashës, Ristanit dhe Dervishit.
Në nëntor 2019, prokurorët e çështjes vendosën të rrëzojnë akuzën për mosdeklarim të të ardhurave dhe e dërguan për gjykim vetëm për falsifikimin e formularëve.
Në janar 2020, gjykata e Tiranës pushoi çështjen ndaj Bashës Partisë Demokratike në lidhje me lobimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2017.
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranë Lazer Sallaku, vendosi pushimin e çështjes, pasi sipas tij nuk ka pasur prova se PD ka paguar shumën prej 500 mijë dollarësh, ashtu siç ka deklaruar Nik Muzin. Ndaj të dyja akuzat, si ajo për falsifikim të formularëve të deklarimit të shpenzimeve, ashtu dhe ajo e pastrimit të parava, nuk u provuan.
Në vendim shkruhet se Prokuroria nuk ka mundur të provojë se mes Partisë Demokratike dhe kompanisë Biniada Trade ka pasur kontratë lobimi, dhe as se Nik Muzin i ka marrë 500 mijë dollarët nga PD.
Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se mes PD-së dhe Nik Muzin nuk ka pasur kontratë dhe as ndonjë akt marrëveshje shoqëruese, ndërsa kontrata mes Nik Muzin dhe kompanisë Biniada Trade, nuk ka pasur lidhje me interesa te ndonje partie politike.
Por pak javë më pars, prokuroria apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit.