Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhër arresti ndaj deputetit të Kosovës Etem Arifi, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë për përvetësimin e mbi 26 mijë eurove.
Deputeti Arifi është dënuar më 15 muaj burg, në prill 2018, për përvetësimin përmes një skeme mashtrimit të 26 mijë eurove, përmes një organizate jo qeveritare, në bashkëpunim me drejtorin e saj, Bajram Gashi, i cili gjithashtu u dënua.
Arifi duhet të fillonte vuajtjen e dënimit në 9 mars 2020, por gjykata e shtyu atë dy herë me katër muaj në total për shkak të gjendjes jot ë mirë shëndetësore të Arifit. Ai kërkoi sërsih shtyrje të dënimit në korrik, por gjykata e refuzoi.
Pas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Apelit më 1 korrik, Arifi duhej të fillonte vuajtjen e dënimit të tij, por ai nuk u dorëzua në polici.
“Prandaj, Gjykata lëshoi një urdhër për [arrestimin] e tij dhe transferimin në qendër për të vuajtur dënimin,” shkruhej në deklaratën për shtyp të gjykatës.
Megjithëse i dënuar, Arifi votoi për rrëzimin dhe formimin e tre qeverive të Kosovës: formimin e Qeverisë Kurti më 3 shkurt, mocionin e mosbesimit kundër të njëjtës qeveri më 25 mars, dhe për formimin e Qeverisë Hoti më 3 qershor.
Në rastin e fundit, vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, e cila mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, pra numrin minimal të votave të kërkuara.
Partia Vetëvendosje e Albin Kurtit ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse Qeveria Hoti ishte votuar në mënyrë kushtetuese. Ata pretendojnë se vota e deputetit Etem Arifi e bën votimin e parlamentit të pavlefshëm.