Gjykata Europiane e Auditit ka nisur verifikimin për Shqipërinë, në mënyrën se si ajo po menaxhon paratë që ka dhënë Bashkimi Europian për sistemin e drejtësisë.
Verifikimi do të fokusohet tek barazia para ligjit, siguria ligjore dhe ndarja e pushteteve. Po ashtu do të verifikohen edhe nëse gjykatat janë të pavarura dhe të paanshme, procedurat legjislative transparente e demokratike dhe shqyrtimi efektiv gjyqësor.
Përgjegjës për procesin e verifikimit është Juhan Parts. Ai u shpreh se ky auditim do të shqyrtojë nëse BE i ndihmon vërtet shtetet të arrijnë përparim në këto fusha.
Por po ashtu ai shtoi se:
“Sundimi i ligjit është një parakusht i panegociueshëm për anëtarësimin në BE. Megjithatë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende duke u ballafaquar me çështje në lidhje me korrupsionin dhe mënyrën se si funksionojnë institucionet e tyre publike, të cilat pengojnë pranimin e tyre në BE.”
Në këtë proces nuk bën pjesë vetëm Shqipëria, por edhe Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat janë vende kandidate për t’u integruar në BE.
Po ashtu në procesionin e verifikimit do të jenë pjesë edhe Bosnja-Hercegovina dhe Kosova.
Për tu bërë vend anëtar i BE-së, vendet kandidate duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE. Kështu parashikohet në kriteret e Kopenhagës 1993.
Ndër kriteret më të rëndësishme është ekzistenca e institucioneve të zhvilluara, të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave.