Gjykata lë në burg 3 nga 6 të arrestuarit për mbetjet e rrezikshme në Vlorë

Nga Exit News
Gjykata lë në burg 3 nga 6 të arrestuarit për mbetjet e rrezikshme në Vlorë

Gjykata e Vlorës vendosi sot të mbajë në burg 3 nga 6 të arrestuarit në lidhje me mbetjet e rrëzikshme që u kapën në furgon dhe traget katër ditë më parë në Vlorë.

Në burg do të mbahen:

  1. Zamir Kornuzi, pronar i kompanisë “Kornuzi”
  2. Kujtim Xhaferllari, zëvendëskapiten i tragetit
  3. Arbër Çuni, drejtues i automjetit ku u kap ngarkesa

Në arrest shtëpie:

  1. Festim Tafa, kapiten i tragetit
  2. Elisabeta Çuni, administratore e kompanisë “Delfini 1”

Balkan Web raporton se drejtuesi i agjencisë së biletave me inicialet A.G është lënë në detyrim paraqitje.

Më 20 shkurt policia e Vlorës njoftoi se kishte bllokuar “një sasi të papërcaktuar mbetjesh të rrezikshme”. Në videon e shpërndarë në Facebook nga policia shfaqeshin dhjetra fuçi dhe qese të zeza në të cilat dyshohet se qe futur lënda helmuese. Fuçitë mbanin logon e kompanisë italiane “Eni”, e cila operon në fushën e naftës dhe gazit.

Lënda importohej si produkt kimik për kompaninë “Delfini 1” dhe dyshohet se transportohej në vendgrumbullimin e mbetjeve të kompanisë “Kurnuzi” ku thuhet se më pas groposeshin.

Opozita denoncoi me foto kontaktet e pronarit të kompanisë “Kornuzi” me kryebashkiakun e Vlorës Dritan Leli dhe Kryeministrin Rama.

Si fillim mediat raportuan se ngarkesa kishte mbetje radioaktive, por policia e Vlorës përgënjeshtroi lajmin. Partia Demokratike reagoi të dielën duke theksuar se mbetjet e kapura në Vlorë ishin të llojit azbest dhe vajra të ndotura, të cilat “vërtetë nuk janë radioaktive, por janë mbetje toksike kancerogjene”.

Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende se sa ishte sasia e kapur, apo ajo e dyshuar se është sjellë prej 14 rrugëve të tjera të zbuluara prej mediave italiane.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>