Gjykata lë në burg 5 të arrestuarit për pengmarrjen e Jak Prengës

Gjykata lë në burg 5 të arrestuarit për pengmarrjen e Jak Prengës

Gjykata e Tiranës la sot në burg 5 të arrestuarit për pengmarrjen dhe vrasjen e Jak Prengës:

  1. Bajram Hajri,
  2. Leonard Hajri,
  3. Elton Hajri;
  4. Olsi Turjan;
  5. Festim Bexhdili.

Ata akuzohen për pengmarrje të personit, armëmbajtje pa leje dhe fshehje e asgjësim të trupit të viktimës.

Avokatët e të akuzuarve mohuan akuzat, ndërsa i ati i Elton Hajrit deklaroi se djali i tij ka alibi të fortë për natën kur policia pretendon se ka ndodhur krimi, pasi ai ka qenë në shtëpinë e tezes së tij.

Jak Prenga, 49 vjeç, u mor peng më 17 janar. Sipas policisë, ai është vrarë nga pengmarrësit, por trupi i tij nuk është gjetur ende.

Exit News sjell më poshtë dinamikën e ngjarjes:

Më 17 janar disa persona, të cilët lëviznin me makinë Range Rover të bardhë, marrin peng Jak Prengën, 49 vjeç, baba i 5 fëmijëve. Pengmarrja kryhet paradite, rreth orës 11:00 në Kamëz. Atë e dërgojnë rreth 35 kilometra larg në Golden Kompleks në fshatin Pjezë të Shijakut. Resorti turistik rreth 1,4 hektarësh zotërohet nga familja Hajri.

Keqbërësit e fusin Prengën në garazh duke e dhunuar vazhdimisht. Gjatë pengmarrjes mendohet se ai është goditur edhe me thikë, pasi është përpjekur t’u largohet. Disa orë më vonë atë e kanë nxjerrë dhe futur në një furgon. Lëvizjet janë fiksuar nga kamera të sigurisë. Policia dyshon se në këtë moment Prenga ishte i pajetë dhe grupi po organizonte zhdukjen e kufomës pasi në furgon futen disa persona me lopata.

Disa orë pas ngjarjes automjeti i përdorur nga keqbërësit për pengmarrjen u gjet i djegur në fshatin Shkallnur në Durrës. Makina i ishte grabitur një këngëtareje më 26 nëntor 2019.

Rreth 8 ditë më vonë policia arrestoi Bajram Hajrin, 64 vjeç, Leonard Hajrin 36 vjeç, Elton Hajrin, 32 vjeç, Olsi Turjen, 36 vjeç dhe Festim Bexhdilin 30 vjeç. Askush nuk ka pranuar të flasë.

Turja është pronar i furgonit që u përdor për nxjerrjen e Prengës nga resorti, ndërsa Bexhdili dyshohet se dogji rrobat dhe mori pjesë në zhdukjen e kufomës.

Policia ka shpallur në kërkim Altin Hajrin 35 vjeç, Gentian Doçin, M.Bajri dhe Korado.G. I përfshirë rezulton të jetë edhe Dritan Rexhepi, 40 vjeç, i cili ndodhet i burgosur në Ekuador për trafik kokaine.

Prej disa ditësh policia ka kontrolluar zonën për të gjetur se ku mund ta kenë zhdukur trupin e Prengës. Dyshohet se ai është groposur, por edhe mund të jetë hedhur në lumin Erzen.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>