
Gjykata e Krimeve të Rënda lehtësoi sot masën e arrestit të ish-deputetit socialist Arben Çuko, nga ‘arrest shtëpie’ në ‘detyrim paraqitje’. Këtë vendim, gjykata e justifikoi me mungesën e provave.
Arben Çuko, ish-deputet dhe ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, u arrestua më 21 tetor dhe akuzohet për ‘korrupsion pasiv’ gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve. Ai dyshohet se i merrte rryshfet të dënuarve për t’i dhënë leje, për t’i transferuar nga një burg në tjetërin ose për t’i lehtësuar kushtet të dënuarve.
Çuko u zbulua nga përgjimet e policisë për bandën e vëllezërve Avdylaj, nga Shijaku, shumë anëtarë të së cilës u arrestuan në një operacion të kërkuar nga qeveria gjermane në tetor 2018.
Menjëherë pas arrestimit, ish-deputetit Çuko iu dha masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Por tre javë më pas, në nëntor, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda lehtësoi masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’ për Çukon.