Gjykata e Elbasanit ka pranuar kërkesën e Klemend Balilit për të vijuar kryerjen e dënimit në një burg të sigurisë së zakonshme.
Me vendim të gjytares Pajtime Fetahu si dhe dakordësi nga prokuroria, Klemend Balili, i njohur dikur me nofkën “Eskobari i Ballkanit”, do të lëvizë nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin në një burg të sigurisë së zakonshme, raporton Shqiptarja.com.
Balili ka kërkuar fillimisht të ndërrojë vendin e vuajtjes së dënimit në korrik 2020.
Kjo kërkesë nuk iu pranua dhe ai e bëri sërish atë në shkurt të 2021 me arsyetimin se gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar dhe burgu i Peqinit nuk i krijonte kontakt të zakonshëm me mjekët dhe familjarët.
Klemend Balili është dënuar me dhjetë vite burg nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, ndërsa vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli më 17 tetor të 2019-ës.
Ai u dënua për trafik të lëndëve narkotike, pastrim parash, grup i strukturuar kriminal dhe refuzim të deklarimit të pasurisë.