
Gjykata e Stambollit ka shpallur të pafajshëm nga akuzat për mashtrim Sinan Idrizin, pronari i kompanisë ajrore Air Albania.
Sipas medias turke Sozcu.com.tr, gjykata vendosi shpalljen e Idrizit si të pafajshëm, megjithëse prokuroria kishte kërkuar nga 3 deri në 10 vjet burg.
Sinan Idrizi u denoncua për mashtrim nga biznesmeni turk Adnan Polat.
Në padinë e dorëzuar nga avokatët e Adnan Polat shkruhet se Sinan Idrizi, pronar i kompanisë ajrore Air Albania i kërkoi Adnan Polat, 17 milionë dollarë, dhe 3,5 milionë dollarë paradhënie për blerjen e kompanisë së markimit të karburanteve GFI Albania.
Pagesa e plotë do të kryehej pasi të lidhej kontrata dhe nëse kjo nuk do të ndodhte paratë do të ktheheshin mbrapsht. Lekët do të kalonin në një bankë ndërkombëtare.
Por, Sinan Idrizi pasi ka marrë pagesën e parë nuk i është përgjigjur më biznesmenit turk, ai nuk i ka ktheyer lekët e marra pas prishjes së kontratës.
Në padi thuhet se Adnan Polat dhe Sinan Idrizi kanë vizituar Shqipërinë në 3 nëntor 2016 dhe e kanë diskutuar këtë çështje me Kryeministrin Rama, i cili i dha mbështetjen dhe miratimin e tij. Në 24 nëntor, Polat firmosi kontratë me Sinan Idrizin dhe kreu parapagimin prej 3,5 milionë dollarë, në një llogari bankare në emër të Idrizit.
Nga ana e tij, Sinan Idrizi nuk i ka pranuar akuzat e biznesmenit turk. Në prokurori ai ka deklaruar se Polat ka depozituar në llogarinë e tij 3, 5 milionë dollarë, por ai nuk i ka përdorur këto para dhe ato janë transferuara në llogarinë e kompanisë.
Në një sqarim për mediat turke, Adnan Polat shkruan se është hera e parë në jetën e tij që përballet me një situatë të tillë, ndaj ka vendosur t’ia kaloj çështjen gjykatës.
“Menjëherë pas bisedimeve për blerjen e kompanisë GFI Albania shpk që patëm me Sinan Idrizin, u hodhën hapa me miratimin e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, dhe si përfundim ndodhi ngjarja që dihet.
Deri më sot kam pritur me durim që të zgjidhet çështja, pa u dëmtuar marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore Shqipëri-Turqi”, shprehet Polat për media turke Milleyt.